Lajme

S’mbahet mbledhja e Komisionit për Buxhet – pritej të diskutohej për Ligjin e Pagave


Për shkak të mungesës së kuorumit nuk është mbajtur mbledhja e Komisionit për Buxhet e ku pritej shqyrtoheshin raporti me rekomandime të Komisionit Funksional për Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe për Projektligjin për Zyrtarët Publikë.

Kryetari i komisioni, Armend Muja, ka konstatuar se nuk do të vazhdojnë me diskutimin e pikave të rendit të ditës pasi mungojnë një pjesë e deputetëve.

“Mbledhja mund të mbahet sot pasdite, apo edhe nesër, para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës”, tha Muja.

Më 23 nëntor, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen pati miratuar projektligjin për pagat në sektorin publik.

Projektligjin për pagat e ka prezantuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para ministrave, i cili ka bërë të ditur se ky projektligj është duke u krijuar për herë të parë në Kosovë.

“Ky projektligj po krijohet për herë të parë në Republikën e Kosovës, sistemin e unifikuar të pagave ky sistem ka në thelb drejtësinë rregullimin e pagës për të gjithë të punësuarit që paguhen nga shteti”.

Ligji për pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në vitin 2019 e drejtuar në atë kohë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradianaj, pati dërguar projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihet ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Përmes këtij ligji, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612 euro, ndërsa një mjeku specialist nga 600 euro në 1 mijë e 195 euro.

Edhe për policinë edhe doganat ishin paraparë ngritje pagash, por jo edhe për zjarrfikësit.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore