Euro 2024

Sllovakia shtang Belgjikën, pasi kësaj të fundit i anulohen dy gola


Sllovakia ka arritur ta shtangë Belgjikën në ndeshjen e tyre hapëse të Euro 2024, ku me një rezultat minimal 1 me 0 të marrë që prej minutës së shtatë, ka arritur të vjelë tre pikë jetike për ecurinë në kampionat.

Nuk ishte thjesht loja sllovake, ajo e cila e ndëshkoi Belgjikën, por edhe “zotat e futbollit”, të cilët sot duket se nuk ishin me belgët, pasi këtyre të fundit iu anuluan dy gola përmes teknologjisë VAR.

Pjesa e parë foli më shumë për Sllovakinë, e cila e shastisi Belgjikën në lojë.

Ishte Ivan Schranz, ai i cili e kaloi kombëtaren e tij në avantazh në minutën e shtatë, pas një pasi përcaktues nga veterani Juraj Kucka.

Belgjika ka kërkuar të tregojë supremacinë në lojën e saj, por pa mundur ta konkretizojë në realitet këtë gjë.

Rastet nuk kanë munguar në anën e saj, por shumë është shpërdoruar, mbi të gjitha nga sulmuesi kryesor, Romelu Lukaku.

Në pjesën e dytë situata ndryshon disi. Belgjika sulmon më shumë, e mban topin më shumë (56%), por sërish nuk arrin të finalizojë.

Kjo deri në minutën e 65-ë, kur Lukaku fut topin në rrjetë pas instistimeve të shumta. Belgët në tribuna shpërthejnë në festë, ashtu si ata në fushë, por jo për shumë.

Kontrolli i imtësishëm në VAR reflekton se Lukaku ka qenë në pozitë jashtë loje dhe gjithçka kthehet ku ishte.

Vijon për shumë minuta insistimi belg, duke ndryshuar edhe skemë dhe lojtarë.

Kur mendohej se gjithçka po mbyllej me një disfatë, në të 86-ën Lukaku shënon sërish. Këtë herë duket gjithçka e rregullt, nuk ka pozicion jashtë loje. Festa shpërthen sërish dhe topi shkon në pikën e bardhë të mesit të fushës për të rinisur ndeshjen nga një 1 me 1.

Gjyqtari gjithsesi nuk i fryn ende bilbilit. Diçka nuk shkon dhe VAR ndërhyn sërish, arbitri turk Halil Meler shkon tek ekrani për të parë më nga afër.

Ka frikë te belgët dhe me të drejtë, pasi shenja është një X me duart kryq. Gol nuk ka, pasi topi gjatë aksionit është prekur me dorë.

Tifozët sllovakë shpërthejnë në tribuna dhe ndjejnë fitoren afër.

Pas më shumë se shtatë minutash shtesë në fakt, kështu ndodh.

Sllovakia merr tre pikë të artë dhe vendoset në pozita të barabarta me Rumaninë në Grupin E, vetëm se Rumunët për shkak golavarazhi më të lartë (fituan 3 me 0 kundër Ukrainës) gëzojnë vendin e parë.

Një grup që tashmë e sheh Belgjikën t’i komplikojë jetën vetes dhe i cili do të jetë shumë interesant në sfidat e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore