Euro 2024

Çfarë tregoi Euro 2024 për Shqipërinë?


Kombëtarja e Shqipërisë ishte pjesë e një Kampionati Evropian, Euro, vetëm për herë të dytë në historinë e saj, por duke lënë një gjurmë të madhe në Gjermani këtë verë.

Kuqezinjtë, të cilët për herë të parë luajtën në një turne madhor në Euro 2016 në Francë, shkuan në Gjermani, ku u përballën me tre nga skuadrat e “top 10”-shes botërore si Spanja, Italia dhe Kroacia.

Edhe pse nuk arritën të merrnin një fitore, si në Euro 2016, niveli i kundërshtarëve kësaj radhe ishte shumë herë më i lartë.

Kuqezinjtë e mbyllën fushatën në Euro 2024 me vetëm një barazim, atë ndaj Kroacisë, dhe përfunduan në fund të Grupit B, të cilësuar si “Grupi i Vdekjes”.

Por, çfarë tregoi Euro 2024 për Shqipërinë?

Paraqitje dinjitoze në fushë

Edhe pse një ekip pa shumë histori në gara të tilla dhe përballë kundërshtarëve si Italia, Spanja dhe Kroacia, Shqipëria ia doli të linte gjurmë këtë Evropian.

Pavarësisht se tifozët kuqezi mund dhe kanë pritur shumë më shumë se performanca e arritur nga ekipi, si çdo tifozeri në mbarë botën për skuadrën e tyre përkatëse në fakt, në mënyrë më profesionale, mund të themi se Shqipëria bëri shumë më mirë seç fillimisht.

“Të gjithë mendonin se do të humbisnim 3 apo 4 me 0 ndaj këtyre skuadrave, por ne ishim aty, në lojë deri në fund”, tha trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, pasi përfundoi aventura kuqezi në Euro 2024.

Dhe, këto mendime të ekspertëve të futbollit evropian ranë posht kur kuqezinjtë zbritën në fushën e blertë.

Ata realizuan tre gola, pësuan pesë dhe patën një performancë të përgjithshme të vlerësuar me notën 6.8 nga “Sofascore”.

Edhe pse nuk arritën të fitonin asnjë nga tre sfidat, kuqezinjtë e panë veten dy herë në avantazh, përballë Italisë dhe Kroacisë.

Madje, goli i Nedim Bajramit ndaj Italisë, në ndeshjen debutuese në Euro 2024, ka hyrë në librat e historisë si më i shpejti i realizuar ndonjëherë në një Kampionat Evropian. Yllit kuqezi iu deshën vetëm 23 sekonda për të realizuar.

Dhe, siç e tha edhe vetë Sylvinho: “Dalim me kokën lart. Ishim në grupin e vdekjes, me kampionë Evrope dhe Bote. Me yje të mëdhenj”.

“U larguam duke u ndjerë krenarë për atë që bëmë”, theksoi braziliani.

Mungesa e eksperiencës

Kombëtarja kuqezi tregoi edhe një herë se ka mungesë eksperience për ndeshje të nivelit të lartë, sidomos në turne si Euro.

Dy golat e shpejtë që përmbysën takimin me Italinë dhe Kroacinë, por edhe disa gabime në zëvendësime nga trajneri Sylvinho, treguan se si ekipi ashtu edhe braziliani kishin mungesë të eksperiencës.

Nëse kuqezinjtë dhe Sylvinho do të kishin pasur më shumë eksperiencë në nivele të tilla dhe në situata të tilla, gjërat mund të kishin shkuar ndryshe. Ndonjëherë në futboll duhet të luash pisët, duke ulur ritmin e kundërshtarit, në mënyrë që të mos pësosh gola të shpejtë, dhe ky ishte rasti me duelet ndaj Italisë dhe Kroacisë.

Megjithatë, ky turne shërbeu si një pikënisje për një ekip i cili, siç tha Sylvinho në një reagim në mediat sociale, “largohet më i fortë nga sa mbërriti”.

Eksperienca e marrë në këtë turne do të jetë kyçe për të ardhmen.

“Kemi parë 6-7 lojtarë shumë të rinj në fushë gjatë këtyre ndeshjeve”, theskoi Sylvinho pas takimit me Spanjën, të cilët garantojnë të jenë e ardhmja kuqezi.

Dhe, tani Shqipërinë e presin sfida të reja, Nations League dhe kualifikueset e Kupës së Botës.

Nations League fillon në shtator, me kuqezinjtë që përballen me Ukrainën në ndeshjen e parë, teksa rival të tjerë janë edhe Gjeorgjia me Republikën Çeke.

Grupet për kualifikueset e Kupës së Botës 2026 ende nuk janë përcaktuar për Evropën, por takimet do të mbahen mes marsit 2025 dhe marsit 2026.

Probleme në mbrojtje

Problemet në mbrojtjen e Shqipërisë duket se janë të vazhdueshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për paraqitjet e Elseid Hysajt, i cili mbase në disa raste edhe fatkeq, gjendej aty sa herë që Shqipëria pësonte gol.

Në ndeshjen ndaj Italisë, dy gabime në mbrojtje “falën” dy golat e përmbysjes së takimit. E njëjta situatë edhe ndaj Kroacisë. Po ashtu edhe ndaj Spanjës.

Mbrojtja kuqezi panikohet shpejt dhe në disa raste duket e paaftë për të zgjidhur me qartësi situatat, çka sjellë edhe “golat e shmangshëm”.

Megjithatë, paraqitjet e kapitenit Berat Gjimshiti dhe talentit Mario Mitaj ishin në nivele të kënaqëshme. Madje, ky i fundit ka reklamuar veten tashmë dhe duket gati për një kalim në një nga kampionatet më të forta të Evropës. Juventus, Lazio, Bologna, Brest dhe Galatasaray thuhet se janë pas tij.

Çështja Armando Broja

Sulmuesi i Chelsea-t, Armando Broja mbetet ende një çështje e pazgjidhur për trajnerin Sylvinho. 22-vjeçari e gjen veten herë brenda formacionit e herë i zhytur në stol. Euro 2024 e tregoi këtë.

Armando nga shumëkush cilësohet si një nga talentet më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria ndonjëherë për shkak të forcës dhe shpejtësisë që ka. Por, historiku i tij me kuqezinjtë është paksa i çuditshëm.

Broja filloi titullar në ndeshjen e parë ndaj Italisë, duke luajtur për 77 minuta. Ai pati një paraqitje të mirë, duke ndikuar që italianët të merrnin dy kartonë të verdhë për të ndaluar kundërsulmët e tij.

Ai pati 22 prekje, gjashtë prej të cilave rezultuan në humbjen e topit. Vlerësimi nga “Sofascore” për atë ndeshje ishte 6.8.

Çuditerisht, në ndeshjen e dytë, aty ku ai mund të bënte diferencën, ndaj Kroacisë, Broja u la në stol, duke mos u aktivizuar asnjë minutë.

Në ndeshjen e tretë, ndaj Spanjës, Broja u përfshi në lojë në minutën e 59-të. Ai pati në total 17 prekje të topit, tetë prej të cilave rezultuan në humbjen e tij.

Gjithashtu pati dy gjuajtje në portën e David Raya-s, por pa mundur të surprizonte portierin e Arsenal-it. Në fund, “Sofascore” e vlerësoi atë me notën 6.9.

Evropiani i Brojës u mbyll me notën 6.85 në total, 0 gola, 0 asiste, 0 shanse të mëdha të krijuara, mesatarisht 19.5 prekje të topit dhe mesatarisht 7 humbje të topit.

Paraqitje dinjitoze e tifozëve kuqezi

Nëse ka diçka me të vërtetë për t’u duartrokitur është performanca e tifozëve të Kombëtares së Shqipërisë në Gjermani.

Flamujt dhe simbolet kuqezi, këngët dhe vallet ishin shoqërueset e pandashme të shqiptarëve në Euro 2024.

Pavarësisht disa incidenteve të vogla brenda stadiumeve, ku Federata Shqiptare e Futbollit u dënua me gjoba nga UEFA, tifozët kuqezi ishin të jashtëzakonshëm.

Vlerësimin për ta e ka dhënë gjithë opinioni sportiv në Evropë.

Asnjë incident nuk u raportua në rrugët e Gjermanisë nga tifozët e Shqipërisë, të cilët pushtuan rrugë dhe sheshe në qytetet ku luanin kuqezinjtë si Dortmundi, Dyzeldorfi dhe Hamburgu.

Prania e tyre e madhe u reflektua edhe brenda stadiumeve. Shqiptarët ishin gjithmonë tifozeria më e madhe në duelet ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

Ata e mbështetën kombëtaren nga fillimi deri në fund, në avantazh dhe disavantazh. Ndaj jo më kot quhen edhe “lojtari i 12”-të.

Dhe, për t’i vënë kapakun si tifozeria më e mirë në Euro 2024, shqiptarët arritën të fitonin edhe një turne të UEFA-s, “Kupa e Tifozëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore