Sport

Skuadra turke ku luajnë tre shqiptarë tregohet fair-play, i fal një gol kundërshtarit (VIDEO)


Skuadra e Superligës së Turqisë, Konyaspor, për të cilën luajnë futbollistët e Shqipërisë, Sokol Cikalleshi dhe Endri Çekiçi, si dhe ai i Kosovës, Zymer Bytyqi, është treguar shumë fair-play, duke i falur një gol kundërshtarit të tyre.

Ata u treguan një skuadër e madhe në ndeshjen e raundit të 1/32-ve të Kupës së Turqisë, teksa po ballafaqoheshin me ekipin modest të Vanspor FK.

Konyaspor shënoi golin e epërsisë në minutën e 34-të, por në atë moment njëri prej futbollistëve të tyre ngriti lart dorën duke dashur të tregoj se kishte pësuar një lëndim, gjest ky nga futbollisti që hutoi kundërshtarët, duke iu ndalur disi ritmin e lojës.

Dhe nga kjo lloj ndalese nga ana e futbollistëve të Vanspor-it, përfituan futbollistët e Konyaspor-it, duke shënuar golin e epërsisë.

Nga ky episod reaguan lojtarët kundërshtarë, duke protestuar te gjyqtari kryesor i ndeshjes, por ai nuk kishte çfarë të bënte.

Por për të larë gjithçka, vendasit u falën golin e barazimit miqve të Vanspor-it në aksionin pasardhës, siç mund ta shikoni edhe në video.

Sa i përket ndeshjes, Konyaspor u kualifikua në raundin tjetër të Kupës së Turqisë pasi arriti të fitonte me shifrat 3:1 në këtë ndeshje.

Ndërsa në këtë takim nuk u paraqiten Cikalleshi, Çekiçi e as Zymeri, pasi që trajneri i kishte ruajtur ata për ndeshjen e ardhshme në Superligën e Turqisë.

Kujtojmë që Konyaspor po kalon në një formë të shkëlqyer, duke u pozicionuar në vendin e dytë në tabelën e elitës së futbollit turk, para gjigantëve si Galatasaray, Fenerbahce e Besiktas.

Ata deri më tani kanë grumbulluar 28 pikë brenda 14 ndeshjeve, duke marrë shtatë fitore, pesë barazime dhe dy humbje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore