Shqipëria

S’ka më muzikë pa orar, pas mesnate nisin gjobat


Muzika pa orar do të ndëshkohet me gjoba, edhe gjatë sezonit veror.

Është ky vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave, të cilin e prezantoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, pas mbledhjes së Qeverisë.

“Miratuam amendimet për zhurmat në mjedis. Edhe një vit më parë, një nga gjërat që kishim më shumë problem ishte ndotja akustike për shkak të muzikës së lartë në lokale e restorante”, bëri fillimisht me dije ministrja.

Ajo shtoi se ky ligj do të kalojë tashmë në Kuvend për votim dhe do të krijojë një kufizim në orare për muzikën e lartë në lokale, e cila do të fillojë në orën 12:00 dhe do të përfundojë në 00:00.

Të gjithë ato biznese, të cilat e thyejnë rregullin, do të ndëshkohen me gjoba administrative.

“Me hyrje në fuqi të këtij ligji, bashkitë do të përcaktojnë hartën e zhurmave, që do të thotë, do të caktohen zonat që duhet të jenë të qeta dhe ato ku mund të zhvillohen aktivitete. Kjo i jep zgjidhje topit që hidhej sa tek mjedisi, sa tek policia e tek shëndetësia”, përcaktoi më tej Kumbaro.

Teksa, ajo tha, se është parashikuar edhe respektimi i hapësirave për jetën e natës, i cili nuk do të mungojë, por do të jetë në zbatim të normave të reja, që do të kalojnë në Parlament.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore