Lajme

Situata në Veri të Kosovës, në sytë e medieve ndërkombëtare


Lajmi për masën e reciprocitetit për targat nuk ka bërë bujë vetëm në Kosovë dhe Serbi, por shumë me gjerë.

Media të ndryshme ndërkombëtare kanë raportuar për situatën në pjesën veriore të Kosovës si dhe aksionin e njësive speciale të policisë.

Madje, në raportimet përtej ballkanit, vend kanë zënë edhe protestat e serbëve kundër vendimit që ka hyrë në fuqi më 20 shtator të këtij viti.

Faqja e lajmeve “Sky News”, ka qenë ndër të parat që ka raportuar mbi ngjarjet në veri, ndërsa ka shkruar se protestuesit i kanë bllokuar rrugët në veri të Kosovës, pasi autoritetet i ndaluan veturat me targa serbe.

Fotografi e shkrepur nga ekipi i Albanian Post, drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes. Jarinje – Kosovë, 20 Shtator.

“Policia në Jarinje të Kosovës po i detyron vozitësit nga Serbia që t’i largojnë ose t’i mbulojnë targat dhe të përdorin targa të përkohshme, të cilat vlejnë 60 ditë e që kushtojnë pesë euro”.

“Serbia, e cila e ka humbur kontrollin ndaj Kosovës më 1999, nuk e njeh Kosovën dhe ua ka ndaluar hyrjen veturave me targa të Kosovës”, raporton “Sky News”.

Ndërkaq, shkrimin “Sky News” e përfundon duke përshkruar mënyrën e protestave të serbëve.

“Gati 50.000 serbë, të cilët jetojnë në veri të Kosovës, në kufi me Serbinë, refuzojnë që t’i njohin autoritetet e Prishtinës dhe posa kufizimet u futën në fuqi të hënën, veturat dhe kamionët i bllokuan rrugët në shenjë proteste”, shkruhet më tej.

Pos, “Sky News”, raportim ka bërë edhe agjencia e njohur e lajmeve, “Reuters”, e cila ka shkuar se si serbët i kanë bllokuar rrugët në shenjë të pakënaqësisë ndaj vendimit të ri të Qeverisë së Kosovës.

Fotografi e shkrepur nga ekipi i Albanian Post, drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes. Jarinje – Kosovë, 20 Shtator.

Po ashtu, “Reuters”, e ka quajtur procesin e dialogut Kosovë-Serbi, si të dobët dhe me shumë pak progres.

“Targat rrisin tensionet në kufirin Kosovë-Serbi” – është titulli që e përditshmja amerikane, “Us News”, i ka vënë artikullit të saj, brenda të cilit raportohet për situatën e krijuar në Jarinje.

“Tensionet janë rritur në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë pasi autoritetet e Prishtinës filluan të zbatojnë një rregull për heqjen e targave serbe nga makinat që hyjnë në Kosovë”.

“Policia speciale e Kosovës me automjete të blinduara u vendos të hënën në kufirin e tensionuar ndërsa qindra serbë të Kosovës thuhet se kanë shkuar atje me makinat e tyre për të protestuar ndaj lëvizjes”, njoftohet në artikull.

Fotografi e shkrepur nga ekipi i Albanian Post, drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes. Jarinje – Kosovë, 20 Shtator.

Us News” po ashtu ka shkruar pak edhe për historinë e luftës së fundit në Kosovë, si dhe faktit që vendi njihet si shtet nga SHBA-të, por jo edhe nga Rusia e Kina.

“Mijëra njerëz u vranë dhe mbi 1 milion mbetën të pastrehë pas një goditjeje të përgjakshme të trupave serbe mes vitesh 1998-1999 kundër separatistëve shqiptarë të Kosovës. Lufta përfundoi vetëm pasi NATO ndërhyri”.

“Kosova më pas shpalli pavarësinë në vitin 2008. Ajo është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe kombet e tjera perëndimore, por jo nga Serbia dhe aleatët e saj Rusia dhe Kina”, thuhet tutje.

Pa raportuar nuk ka mbetur as mediumi ndërkombëtar “Al Jazeera”, i cili ka shkruar se si Kosova ka vendosur policë shtesë për të zbatuar ligjin për heqjen e targave, ndërsa serbët e kanë kundërshtuar me anë të protestave.

Fotografi e shkrepur nga ekipi i Albanian Post, drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes. Jarinje – Kosovë, 20 Shtator.

“Policia speciale e Kosovës me automjete të blinduara u dërgua në kufi të hënën ndërsa qindra serbë të Kosovës thuhet se u nisën drejt kufirit me makinat dhe kamionët e tyre, duke bllokuar një rrugë që të çonte në një nga pikat e kalimit në shenjë proteste”, thuhet mes tjerash në artikullin e publikuar nga “Al Jazeera”.

Artikuj të ngjashëm raportues për situatën e krijuar në Jarinje pas futjes në fuqi të ligjit mbi targat dhe protestave kundërshtuese nga ana e serbëve, kane publikuar edhe mediume të tjera të njohura në nivele internacionale të tilla si; “Ap News”, “Balkan Insight” e “Detuche Welle”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore