Shqipëria

Sindikata e pedagogëve paralajmëron grevë urie nëse kërkesat nuk plotësohen


Sindikata e pedagogëve ka paralajmëruar grevë urie nëse kërkesat e adresuara në Ministrinë e Arsimit nuk plotësohen.

“Duke qenë në këto kushte kur nuk ka pasur reagim deri tani, erdhëm në fazën e një bojkoti të deritanishëm dhe tani i kemi dërguar kërkesë qeverisë, dhe të krijojë urën e komunikimit”, ka thënë kreu i sindikatës Sandër Kovaçi.

Sipas tij, varianti i grevës mund të vihet në zbatim për të ushtruar presionin e duhur mbi autoritetet për të reaguar në mënyrë konstruktive.

Por edhe për “ta kuptuar rëndësinë e këtij bojkoti.

“U bëjmë thirrje të gjithëve të jeni prezent për ndryshime në arsimin e lartë publik. U bëjmë thirrje që në procesin e rritjes së iniciative financiare të mos përjashtohen stafet akademike administrative”, ka vijuar ai.

Kovaçi ka shtuar se kërkohet gjithashtu që tarifat e studentëve të përdoren për studentët.

“Kërkimi shkencor është thelbësor në Arsimin e Lartë. Është në gjendje alarmi. Pra nuk jemi që të kalojmë në fazën e fundit të grevës së urisë, po është kërkesë e disa sindikalistëve, por nëse vërtet nuk do të ketë reagim mund të shkojmë edhe në këtë fazë”, ka theksuar ai.

Një ditë më parë ai ka bërë me dije se do të vijojë bojkoti i pjesshëm në universitete.

Po ashtu ka theksuar se kërkesat e profesoratit janë minimale.

“Jemi në fazën kur Ministria e Arsimit ka sjellë një përgjigje, një pjesë prej tyre mendojmë se do të jenë të zgjidhshme sepse kanë qenë vetëm pengesa të neglizhencës, ndërsa problemi kryesor për rritjen e financimit për arsimin e lartë nuk ka marrë rrugën e zgjidhjes”, ka thënë ai.

Sakaq, Kovaçi ka thënë se do të vijohet me kërkesën që këtë vit të ketë rritje dhe më pas arritjen e pagave që janë në rajone.

Pedagogët do të vijojnë me bojkotin e pjesshëm në universitete

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore