Përballje

Simeone tregon arsyen pse Carrasco e gjuajti penalltinë vendimtare


Atletico Madrid u eliminua nga Liga e Kampionëve në mbrëmjen e kaluar, në ndeshjen dramatike ndaj Bayer Lveverkusen, ku nuk shkuan përtej një barazimi me rezultat 2:2.

Në përfundimin e kësaj ndeshjeje ndodhi një dramë e vërtetë.

Pasi gjyqtari mbylli sfidën me fishkëllimën e fundit, dhoma e VAR-it e thirri atë për ta parë një prekje me dorë nga lojtarët e Leverkusen-it, gjë që kishte ndodhur në momentet e fundit të ndeshjes.

Pasi pa rastin në ekran, gjyqtari akordoi penallti për Atletico-n. Atë e mori përsipër Yannick Carrasco, i cili dështoi të shënonte dhe njëkohësisht e eliminoi ekipin e tij nga Champions.

Carrasco nuk është gjuajtësi i penalltive te skuadra spanjolle, por pse e mori përsipër penalltinë, e shpjegoi vetë trajneri i Atletico-s, Diego Simeone.

“Griezmann është një nga gjuajtësit tanë, por ai ishte shumë i lodhur. Carrasco e mori topin përpara se arbitri t’i drejtohej VAR-it. Nëse një lojtar kërkon të godasë dhe zgjedh këtë mënyrë, atëherë shokët e skuadrës bien dakord dhe e lejojnë të gjuajë”, deklaroi Simeone.

Atletico-s tani i mbetet vetëm ta sigurojë vendin e tretë – që e dërgon në fazën e eliminimit në Ligën e Evropës.

Simeone e pranoi që është një moment i vështirë për të dhe ekipin, por inkurajoi djemtë e tij për vazhdimin në Ligën e Evropës dhe vazhdimin e garës në La Liga.

“Ky është momenti më i vështirë, por unë do të vazhdoj të insistoj që ky klub të marrë diçka që në këtë sezon, në garat ku vazhdojmë të jemi”, tha mes tjerash trajneri argjentinas.

Sa i përket ndeshjes, Carrasco bëri një paraqitje të mirë, ku shënoi golin e parë dhe asistioi te i dyti.

Kujtojmë që aktualisht Atletico është në vendin e tretë në Grupin B me pesë pikë, një më shumë se Leverkusen i vendit të katërt.

Kurse, sa i përket ligës spanjolle, skuadra e Simeone-s ndodhet në vendin e tretë në tabelë me 23 pikë, tetë më pak se lideri, Real Madrid.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore