Lajme

Sikur ta dija pse qytetarët e ndëshkuan LDK-në


“Dëmtimi i LDK-së me votat e fundit është krejtësisht i padrejtë”.

Kështu është arsyetuar kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një shkrimi në Facebook pasi partia e tij, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka marrë pak më shumë se 13 për qind të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.

Ai ka shkruar se nuk është pishman për prishjen e koalicionit me VV-në, përkundër rezultatit.

“Unë nuk pendohem, sepse do ta prishja edhe sot”, shkruan Mustafa.

Ai shton se do t’ia lehtësonte humbjen një përgjigje në pyetjen se: Pse nuk o votua LDK-ja?

“Do të isha i lehtësuar po ta dija se pse qytetarët e ndëshkuan me votë LDK-në në këto zgjedhje”.

I pari i LDK-së, ka lavdëruar punën e qeverisë së kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti, pasi sipas tij “Qeveria Hoti, ka sanuar relacionet e prishura me SHBA nga Qeveria Kurti si dhe relacionet me BE, të shkatërruara nga Qeveria Kurti dhe Haradinaj”.

“Ka nënshkruar Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, ka menaxhuar me sukses pandeminë COVID-19 si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik”.

Për ish-kryeministrin me rëndësi është të ruhen raportet me SHBA-në e jo me LVV-në.

“Ndërmjet SHBA-së dhe VV-së, LDK-ja ka zgjedhur partneritetin me SHBA-në. Ndërmjet konfrontimit me administratën e Presidentit Tramp dhe me Lëvizjen Vetëvendosje, LDK-ja ka zgjedhur të evitojë çdo konfrontim dhe acarim të marrëdhënieve me SHBA, por është rreshtuar në ndërtimin e raporteve miqësore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore