Përballje

Si u paraqitën Dardanët me skuadrat e tyre gjatë fundjavës


Fundjavën që lamë pas, futbollistët e kombëtares së Kosovës patën suksese me klubet e tyre nëpër ligat evropiane.

E fillojmë me Mirlind Dakun, i cili ishte protagonist kryesor në fitoren e Osijek-ut kundër ekipit Gorcia, ndeshje kjo e zhvilluar në kuadër të xhiros së nëntë në Superligën e Kroacisë.

Dakut i mjaftuan vetëm 24 minuta lojë, për të shënuar dy gola. Ekipi i Osijek ishte duke humbur me rezultat 0:1, derisa Mirlindi u inkuadrua në lojë në minutën e 67, i cili më pas realizoi dy herë, ku në të dyja rastet barazoi rezultatin.

Më pas ishte Danijel Loncar, i cili realizoi gol në minutën e fundit, për rezultatin përfundimtar 3:2.

Me këtë fitore, skuadra e Osijek ngjitet në krye të tabelës, ku së bashku me Rijeka-n kanë nga 17 pikë.

Kujtojmë që Daku u bë pjesë e ekipit të parë të Osijek-ut gjatë këtij afati kalimtar veror, i cili deri më tani ka realizuar vetëm tri paraqitje nga banka rezervë.

Me paraqitje të mira po vazhdon edhe sulmuesi tjetër i kombëtares dardane, Elbasan Rashani.

Ai gjeti përsëri rrugën e rrjetës në ndeshjen që ekipi i tij Clermont barazoi në shtëpi përballë skuadrës Brest, takim ky i zhvilluar në kuadër të xhiros së gjashtë në ligën franceze.

Rashani ishte në formacionin startues në këtë ballafaqim, ku gjeti golin në minutën e 65-të, pasi ekipi i tij ishte duke humbur, madje edhe kishte një lojtar më pak, pas përjashtimit nga loja të futbollistit Gastien.

Paraqitje të mira patën edhe dyshja e klubit të Zurih-ut, Fidan Aliti dhe Mirlind Kryeziu, të cilët luajtën për 90 minuta në fitoren e klubit të tyre ndaj Kriens, ndeshje kjo e zhvilluar në kuadër të 1/16-ve të Kupës së Zvicrës.

Fitore në Kupën e Zvicrës arriti edhe mbrojtësi Betim Fazliji me klubin e tij St.Gallen, të cilët deklasuan skuadrën e Chenois, me rezultat 2:7.

Në këtë takim, ashtu sikurse edhe në të gjitha, Fazliji luajti për 90 minuta.

Paraqitje pozitive pati edhe Ibrahim Dresheviq, në ndeshjen që ekipi i tij Heerenveen e fitoi përballë Sittard, takim ky i zhvilluar në kuadër të javës së pestë të Kampionatit Holandez.

Dreshviq, sikurse në të gjitha ndeshjet, edhe në këtë takim luajti për 90 minuta, ku thuajse ishte i pakalueshëm në mbrojtje.

Skuadra e Heerenveen momentalisht pozicionohet në vendin e tretë në tabelë me 10 pikë të grumbulluara, tri më pak se vendi i parë Ajax dhe dy më pak se PSV e vendit të dytë.

Për 90 minuta u paraqit edhe Milot Rashica në ndeshjen që Norwich City e humbi në shtëpi përballë Watford me rezultat 1:3.

Rashica pati paraqitje të mirë në këtë ndeshje, por nuk arriti që të ndihmojë ekipin e tij drejt pikëve të para.

Norwich pozicionohet në vendin e fundit në tabelë, ku pas pesë ndeshjeve të luajtura, nuk kanë fituar asnjë.

Fitore arriti edhe Mërgim Vojvoda me skuadrën e tij Tornio, që triumfuan në udhëtim te Sassuolo. Vojvoda në këtë takim u inkuadrua në minutën e 77-të.

Sukses gjatë kësaj fundjave, pati edhe skuadra polake, Legia, ku së fundmi u transferua mesfushori i Kosovës, Lirim Kastrati.

Kastrati luajti vetëm në pjesën e parë të këtij takimi, i cili u mbyll me rezultat 3:1 në favor të ekipit të tij.

Ndërsa, mbrojtësi Lirim Kastrati, i cili aktivizohet në radhët e ekipit hungarez, Ujpest, luajti për 90 minuta në barazimin 2:2, që skuadra e tij e pati me Zalaegerszegi.

Valon Berisha u inkuadrua në lojë në minutën e 60-të, në ndeshjen që skuadra e tij Reims barazoi pa gola përballë Lorient.

Sulmuesi Vedat Muriqi, nuk luajti në ndeshjen që skuadra e tij Lazio, barazoi me rezultat 2:2 përballë Cagliari-t.

Minuta në fushë nuk pati as për portierin, Arijanet Muriq, ku skuadra e tij Adana Demirspor, e fitoi 3:1 ndaj Rizespor, takim ky i vlefshëm për javën e pestë të Superligës aë Turqisë.

Vlen të ceket se në këtë ndeshje shënoi golin e parë Mario Balotelli, i cili është bashkëlojtar i Muriqit.

As Florent Hadërgjonaj nuk luajti për asnjë minutë në humbjen që skuadra e tij Kasimpasa e pësoi ndaj Trabzonspor-it me rezultat minimal 0:1.

Derisa Florent Loshaj, ishte prezent për 15 minuta ku ekipi i tij polak, Cracovia barazoi 1:1 ndaj Pogon Szczecin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore