Shqipëria

Si paraqitet deficiti i skemës së pensioneve në Shqipëri?


Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISHH) në Shqipëri ka raportuar se, gjatë periudhës gjashtëmujore nga janari deri në qershor, deficiti i skemës së pensioneve arriti në 12.6 miliardë lekë, duke pësuar lehtshëm një rritje.

Edhe pse të ardhurat nga sigurimet shoqërore po për këtë periudhë pësuan një rritje, kjo nuk ka ndalur deficitin e skemës së pensioneve.

Ekonomisti Endrit Yzeiraj, për Albanian Post, analizon arsyet e këtij disniveli.

Sipas tij, Shqipëria ka dy probleme kryesore, sa i përket skemës aktuale të pensioneve.

“Problemi i parë afatshkurtër, është i shkaktuar nga kriza e pandemisë që përfshiu të gjithë globin”, thotë fillimisht ai.

“Ndërsa tjetri, pak më i komplikuar”, sipas Yzeirajt, “lidhet me tendencat afatgjate ekonomike dhe demografike”.

Në raportet zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT) vihet re se nga numri i përgjithshëm i popullsisë, që është mbi 2.8 milionë, sigurimet shoqërore paguhen nga 778 mijë persona.

Reforma e re e pensioneve, e cila hyri në fuqi në vitin 2015, rriti moshën e daljes në pension, duke ndikuar pozitivisht në uljen e këtij deficiti.

Ekonomisti, në argumentimin e tij, shpjegon se në Shqipëri ka më pak të rinj dhe më shumë popullsi në moshë.

“Kjo tendencë problematike demografike po përkeqësohet edhe nga emigrimi masiv, sidomos në periudhën 2015-2017”, thotë ai për AP-në.

Yzeiraj ravijëzon se, “tanimë ka gjithmonë e më pak forcë punëtore që kontribuon në skemë, e kështu gjithmonë e më shumë pensionistë që duhen mbështetur prej saj”.

ISHH-ja, po ashtu, njoftoi se vetëm në këto gjashtë muaj kanë plotësuar kriteret për pension rreth 11 mijë pensionistë.

Nga Instituti shpjegojnë, po ashtu se skema e pensioneve rritet me 15 mijë deri në 16 mijë pensionistë në vit.

Me pak fjalë, mosha e ulët e daljes në pension për disa kategori dhe ndryshimet demografike janë faktorët kryesorë të këtij mosbarazimi.

Po ashtu, Yzeiraj thotë se aktiviteti ekonomik i dekadës 2010-2020 ka qenë dukshëm më i ngadaltë se dekada paraardhëse.

“Rritja ekonomike ka kaluar nga një mesatare prej 6.3% në 2.8%”.

Në këtë mënyrë, shpjegon eksperti i ekonomisë, zhvillimi më i ngadaltë ekonomik ka sjellë kontribute më të ulëta në skemën e pensioneve, por edhe në financat publike në përgjithësi.

Për të, këto probleme nuk janë lehtësisht të zgjidhshme dhe do vazhdojnë të përcaktojnë zhvillimet e rëndësishme ekonomike, politike dhe shoqërore të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore