Lajme

Si ndodhi vrasja në Prizren?


Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës tregohen detaje të reja si kishte ndodhur vrasja në Prizren në një lokal të martën.

Sipas policisë, fillimisht brenda lokalit kishte pasur shkëmbim zjarri dhe pastaj tre shtetas të Shqipërisë ishin larguar në drejtim të qytetit të Kukësit.

“Pas incidentit, tre nga të përfshirët në rast që ishin shtetas të Shqipërisë janë larguar me veturë në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Pas kontaktit me autoritetet e Shqipërisë, është konfirmuar se njëri nga personat e përfshirë në incident ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër është i plagosur”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, për gjashtë të dyshuarit që kanë marrë pjesë në vrasjen tragjike në Prizren ku një person mbeti i vdekur dhe një tjetër i plagosur me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë në stacionin policor në Prizren.

Kush janë të dyshuarit?

Pronari i lokalit, Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra” dyshohet të ketë shtënë me armë zjarri pas një zënke fizike me disa persona, të cilët kishin ardhur nga Kukësi në Prizren.

Nga rasti njëri nga ta ka mbetur i vdekur, kurse një tjetër është plagosur, policia bëri të ditur se njëri është 31-vjeçar me inicialet V.C, kurse i plagosuri është 27-vjeçar me inicialet R.SH.

Pronari i lokalit “Kobra City”, Dibran Hoxha, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e 31- vjeçarit nga Kukësi i Shqipërisë, është emër i njohur për organet e drejtësisë në Kosovë.

Hoxha, ka qenë i dënuar 16 herë, ai është i njohur me pseudonimin “Kobra”.

Madje, nga Gjykata Themelore në Prizren, bëjnë të ditur se i njëjti ka ende aktive një lëndë, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 153, par. 2 të Kodit Penal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore