Shqipëria

Si ndikojnë ndryshimet e ligjit për “tatimin mbi të ardhurat” te korporatat dhe individët


Pas më shumë se 25 vitesh, autoritetet financiare në Shqipëri miratuan një nga ndryshimet më të rëndësishme të legjislacionit ekzistues tatimor në vitet e fundit, duke iu referuar “tatimit mbi të ardhurat”.

Ky i fundit, do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024.

Ndikimi i miratimit të ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat në respektimin e taksave të biznesit por edhe të individëve konsiderohet i rëndësishëm.

Kjo, pasi ligji i ri jep një përkufizim më të gjerë të të ardhurave nga punësimi për qëllime tatimore, krahasuar me ligjin ekzistues.

Sipas përkufizimit, të ardhurat nga punësimi përfshijnë pagat, rrogat, shtesat, kompensimet dhe shtesat e tjera që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës ose të ngjashme, pagesat e bëra në rast të humbjes ose përfundimit të marrëdhënieve të punës.

Ndër të tjera, ligji përfshin edhe përfitimet në natyrë të matura me vlerën e tregut të cilat më parë nuk ishin trajtohen si të ardhura nga punësimi që i nënshtrohen taksave mbi pagën.

Ai parashikon që përkufizimi i të ardhurave nga punësimi përfshin të ardhurat e fituara nga një individ i vetëpunësuar nëse të paktën 80 për qind e të ardhurave të fituara rrjedhin drejtpërdrejt ose tërthorazi nga një klient i vetëm ose nëse të paktën 90 për qind e të ardhurave totale të fituara rrjedhin nga dy klientë.

Megjithatë, këto kritere nuk zbatohen nëse individi i vetëpunësuar ofron shërbime vetëm për individë rezidentë jo-tatimorë ose subjekte jo-rezidente që nuk kanë seli të përhershme në Shqipëri.

Ligji i ri prezanton një taksim të ri progresiv të të ardhurave duke vendosur pragjet vjetore dhe normat tatimore: për të ardhurat deri në 2 milionë e 40 mijë lekë, tatimi do të zbatohet me masën 13 për qind ndërsa për të ardhurat mbi këtë shifër, tatimi do të zbatohet me masën 23 për qind.

Ligji i ri prezanton zbritjet nga baza vjetore tatimore, duke mbajtur të njëjtin nivel të barrës tatimore për individët me skemën e mëparshme tatimore, ndërkohë që redukton barrën tatimore vetëm për të ardhurat nga punësimi deri në 720 mijë lekë në vit ose 60 mijë lekë në muaj.

Punëdhënësi do të vazhdojë të veprojë si agjent i listës së pagave dhe do të jetë përgjegjës për mbajtjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi bazuar në bazën mujore të llogaritur proporcionalisht me kufijtë vjetorë të përcaktuar me ligj.

Ai do të ketë detyrimin të deklarojë dhe të paguajë taksat e punësimit ose të pagave në organet tatimore brenda datës 20 të muajit pasardhës.

Sipas dispozitave të ligjit të ri, zbritjet standarde vlerësohen në baza vjetore: zbritja vjetore prej 600 mijë lekësh, nëse të ardhurat vjetore janë deri në 600 mijë lekë; zbritja vjetore prej 420 mijë lekësh, nëse të ardhurat vjetore bien nga 600 mijë deri në 720 mijë lekë; zbritja vjetore prej 360 mijë lekësh, nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720 mijë lekë.

Zbritjet vjetore të mësipërme kërkohet të përpjesëtohen dhe raportohen në baza mujore nga punëdhënësi kryesor përmes deklaratës së listës së pagave.

Nëse individi është i punësuar nga më shumë se një punëdhënës, atëherë punëdhënësit e tjerë të ndryshëm nga ai kryesor duhet të llogarisin tatimin mbi të ardhurat nga punësimi pa marrë në konsideratë asnjë zbritje si më sipër.

Përveç zbritjeve standarde të specifikuara më sipër, baza e tatueshme e raportuar në listën e pagave mund të zbritet me kontributet e bëra në një fond pensioni privat deri në nivelin e pagës minimale mujore të zbatueshme në Shqipëri.

Zbritjet e tjera vjetore në masën e parashikuar nga ligji mund të kërkohen nga individi nëpërmjet deklaratës vjetore të tatimit mbi të ardhurat personale.

Çdo punëdhënës, që vepron si agjent i listës së pagave, është i detyruar të kërkojë nga çdo punonjës nënshkrimin e Deklaratës për Statusin Personal përpara pagesës së parë të pagës.

Punëmarrësi nuk mund të nënshkruajë me më shumë se një punëdhënës Deklaratën për Statusin Personal për një muaj kalendarik.

Deklarata mbi Statusin Personal përfshin të gjithë informacionin e kërkuar për aplikimin e zbritjeve standarde të cilat mund të aplikohen përmes listës së pagave mujore në 1/12 e zbritjeve vjetore të lejuara.

Deklarata vjetore e tatimit mbi të ardhurat personale është e detyrueshme për çdo individ të punësuar në Shqipëri, me kusht që të ardhurat bruto vjetore nga të gjitha burimet të kalojnë 1 milion e 200 mijë lekë ose nëse individi ka lidhur një marrëdhënie pune me më shumë se një punëdhënës.

Me përjashtim të sa më sipër, individët që kanë realizuar të ardhura të tjera personale mbi 50 mijë lekë, të cilat nuk janë tatuar gjatë vitit raportues, janë të detyruar të paraqesin deklaratën tatimore vjetore për të raportuar dhe paguar tatimin për këto të ardhura.

Deklarata tatimore mund të dorëzohet gjithashtu vullnetarisht nga individë që nuk e arrijnë pragun, por kanë të drejtë të kërkojnë zbritjet e lejuara nga ligji.

Afati i fundit për dorëzimin e deklaratës vjetore të tatimit mbi të ardhurat personale është 31 mars i vitit pasardhës.

Për plotësimin e deklaratës tatimore, rezidentët tatimorë shqiptarë identifikohen me numrin e tyre personal të identifikimit siç tregohet në dokumentin e tyre të identifikimit, ndërsa rezidentëve jo-shqiptarë u caktohet një numër tatimor specifik, siç parashikohet në Udhëzimin e Ministrisë së Financave.

Përveç të ardhurave nga punësimi, individi duhet të raportojë në deklaratën tatimore vjetore çdo të ardhur tjetër personale të realizuar gjatë vitit dhe taksat përkatëse të paguara.

Analiza është marrë nga organizata e kontabilitetit “KPMG” për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore