Lajme

Si “Game of Thrones”, shfaqet trekëndëshi i krizës në kufijtë e Kinës


Në fillim ishte Koreja e Veriut. Më pas Myanmari. Së fundmi, edhe Afganistani.

Tri kriza në rajon duket se kanë pak të bëjnë njëra me tjetrën. Mirëpo, për Pekinin, pyetja që shtrohet është e njëjta: Si të përballet me vendet e rajonit, të cilat janë të dështuara, por strategjikisht të rëndësishme?

Mbi të gjitha, si do të ndikojë në sferën globale përgjigjja e Kinës?

Për shumë vjet, perëndimorët kanë kërkuar të dhëna mbi si një fuqi në rritje, do ta përdorë forcën e saj në sferën globale.

Nga raportet me SHBA-të tek investimet në Afrikë, Kina është bërë udhëheqëse e politikave globale. Por, një pasqyrë më të mirë, mund ta japë qasja që do të ketë ndaj këtyre tre vendeve.

Afganistani, Myanmari dhe Koreja e Veriut do të jenë të tria një test për Kinën. Për shkak të vakumit të lënë amerikan, Kina mund ta mbushë atë.

Historiku i perëndimit, ka parë dështime në qasjen ndaj vendeve në dështim. Vetë kthimi që ata duan t’u bëjnë këtyre vendeve duke i shndërruar në demokraci, është model utopik i parealizueshëm.

Ndërsa ajo çfarë do të shpërfaqë Kina, është një model tjetër, tërësisht i saji.

Për momentin, nuk ka një ndërhyrje të qartë. Afrimi kinës ka qenë i përmbajtur. Vetë ndikimi mbi këto vende, ka qenë në natyrë shumë të rezervuar.

Ndërsa me Afganistanin kufiri me Kinën është i papërfillshëm, me dy vendet e tjera ai zë një rreze të gjerë.

Qasjet kineze

Në Myanmar, qëllimi kryesor i Kinës është sigurimi i stabilitetit. Kjo, në mënyrë që një fuqi e madhe, të jetë mike e cilësdo palë që vjen në pushtet. Ambicia politike e Pekinit është ajo e pasjes së qasjes në oqeanin Indian, ndaj rezultantja e raporteve të mira është thelbësore.

Në rastin e Afganistanit, ende është e debatueshme se në çfarë pike Kina duhet ta shtrijë ndikimin e saj. Nëse duhet të jetë ose jo aktive ndaj regjimit taleban, mbetet një pikëpyetje e madhe. Gjasat janë të pakta që Pekini të vendosë raporte diplomatike me talebanët.

Por, kjo dilemë diplomatike, duhet zgjidhur më pas. Lëvizje të ngjashme me ato që po marrin SHBA-të, janë gjithsesi më të mundshme.

Është e qartë se politika e jashtme pragmatike e Kinës, nuk do ndryshojë së shpejti. As përgjigjja e saj ndaj tre vendeve në prag të dështimit me të cilat ajo kufizohet.

Por, veprime strategjike të Pekinit, nuk është e thënë se nuk do të vijnë.

Pak a shumë ngjan me një skenar “Game of Thrones”, ku regjime vijnë e ikin, por komshija e mirë Kinë, është aty. Nëse perëndimi do të influencojë në këto vende, duhet të kalojë nga Pekini tashmë.

Në këtë mënyrë, rruga i lihet e hapur kësaj të fundit, për të vepruar si të dëshirojë me dinamikat e krijuara.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore