Shqipëria

Shtyhet sërish seanca për ish-efektivin e RENEA-s, Arbër Paplekaj


Është shtyrë sërish procesi gjyqësor për çështjen e 21 prillit 2021 në ngarkim të Arber Paplekajt këtë të enjte të 22 dhjetorit.

Seanca është shtyrë në Gjykatën e Elbasanit.

Avokatja e familjes Xhuvani kërkoi përfshirjen e familjarëve të Xhuvanit në proces, në mënyrë që ata të njihen me aktet e realizuara deri tani.

Për këtë, avokatja duhet që të paraqesë brenda së hënës certifikatën e trashëgimisë së familjes Xhuvani.

Nga ana tjetër u rrëzuan kërkesat për ndarjen e proceseve gjyqësore për palët dhe kërkesa për gjykim të shkurtuar për protagonistet e tjerë si nëndrejtorët e policisë.

Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan ndodhi katër ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

Dhe Paplekaj ishte pjesë e grupit të Partisë Demokratike, që ishte ngritur me qëllim mbrojtjen e votës.

Pas një sherri verbal, u përdorën armë dhe u plagosën edhe katër persona të tjerë.

Sakaq, Paplekaj e pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë.

Sipas tij, qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që po blinin vota.

Çfarë ndodhi 1 vit më parë?

Vrasja e Pjerin Xhuvanit e gjeti Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë të tronditur, pasi pati edhe një sfond elektoral.

Gjithçka ndodhi vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani.

Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan.

Katër të tjerë u plagosën në vendngjarje, ndër të cilët një efektive e forcave “Shqiponja”.

Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.

Autori u vu nën pranga pak pas ngjarjes, duke u shoqëruar dhe në komisariat. Deklarata e tij pati qenë se “sulmi ka ndodhur për vetëmbrojtje”.

Mbi 20 persona u shoqëruan drejt komisariatit asokohe. Ndër ta, dy kandidatë demokratë: Gazment Bardhi dhe Luçiano Boçi.

Ndërsa në burg, mbahet ende Paplekaj, në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata.

Nga ana tjetër, Xhuvani ishte akuzuar nga Partia Demokratike se ishte një ndër organizatorët e përplasjes fizike mes simpatizantëve të PS-së dhe PD-së Ditën e Verës të vitit 2021 në Elbasan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore