Shqipëria

Shtyhet sërish seanca ndaj Ervin Salianjit për çështjen “Babale”


Është shtyrë për në 8 maj seanca e radhës për deputetin demokrat Ervin Salianji, sa i takon çështjes së njohur si “Babale”.

Vendimi u mor pas kërkesës nga vetë Salianji, pasi avokati i tij nuk u paraqit në seancë për arsye shëndetësore.

Kështu, Apeli ka vendosur që seanca të shtyhet për në 8 maj, ora 10:00.

Më 12 prill, në Gjykatën e Apelit është shtyrë seanca gjyqësore ndaj deputetit demokrat Ervin Salianji sa i takon çështjes “Babale”. Seanca e radhës do mbahet më 24 prill.

Salianji u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë në lidhje me çështjen “Babalja”.

Në fjalën e tij për gazetarët pas shtyrjes së seancës për rastin “Babale” në Apel, u shpreh se ka prova shkencore se i gjithë denoncimi është 100 përqind i vërtetë.

“Është një denoncim i bërë nga trafikanti Geron Xhafaj. Ne kemi prova shkencore sesi është 100 për qind i vërtetë denoncimi dhe sesi institucionet kanë shmangur hetimet për Geron Xhafajn dhe Fatmir Xhafajn dhe që nuk iu janë sekuestruar pasuritë. Besoj se detajet do të jepen më datë 24 prill. Unë nuk sulmoj personalisht asnjë gjyqtar. Gjyqtari Artan Gjermeni është në përgjime të Prokurorisë italiane, që ishte shërbëtor i fëlliqur i një anëtari të një bande në Lushnjë”, u shpreh Salianji.

Ai, së bashku me gazetarin Jetmir Olldashi – i cili u dënua me gjashtë muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti – e kanë çuar çështjen në Apel, pasi nuk pranuan vendimin e shkallës së parë që ka kryer dyshja “kallëzim të rremë”.

Çfarë përfaqëson “Babalja”?

Salianji dhe Olldashi u shpallën fajtorë për akuzën e “kallëzimit të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit, me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.

Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.

Videot e publikuara nga deputeti Salianji do të ndiqnin njëra – tjetrën.

Ai publikoi një video ku shfaqej Fredi Alizoti, kunati i Babales, i cili shprehej se “Taulant Balla dhe Ardi Veliu i kishin kërkuar të deklaronte se kishte imituar vëllanë e Xhafajt”.

Por Alizoti në Prokurori dëshmoi se vetë Babalja i kishte ofruar 100 mijë euro për të realizuar imitimin e zërit.

Në lojë u futën ekspertët nga Mbretëria e Bashkuar.

Ata me kërkesë të Ministrisë shqiptare të Drejtësisë vërtetuan se audio-përgjimi ishte i sajuar dhe jo autentik.

Kjo do të mjaftonte që Prokuroria e Krimeve të Rënda të niste hetimin ndaj Albert Veliut, Fredi Alizotit, Ervin Salianjit dhe Jetmir Olldashit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore