Lajme

“Shtohen aktivitet ruse në Kosovë”


Një delegacion nga Qendra Ruse për Shkencë dhe Kulturë me qendër në Beograd, “Shtëpia ruse” (Ruski Dom), vizitoi Kosovën dy javë më parë. Ata u takuan edhe me përfaqësues të Listës Serbe, ministrin e Kosovës për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq dhe deputetin Igor Simiq.

Më 18 dhe 19 maj përfaqësuesit e “Shtëpisë ruse” kanë vizituar Mitrovicën e Veriut, Manastirin e Deçanit, Manstirin e Graçanicës, Universitetin paralel në Mitrovicë dhe Qendrën e Kulturës në Graçanicë.

Në këtë vizitë prezent ishte edhe shefi i  zyrës ndërlidhëse ruse në Prishtinë, Andrey Shugurov.

Ndërsa nga “Ruski Dom”, prezent ishin Yevgeny Baranov dhe Vasily Galaktinov.

Në krye të Qendrës Ruse për Shkencë dhe Kulturë “Shtëpia ruse” në Beograd është Yevgeny Baranov. Ai ka qenë gazetar raportues nga ish-Jugosllavia.

Pas përfundimit të vizitës në Kosovë, ata u pritën nga ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksander Vulin, i cili i përgëzoi këta të fundit për iniciativën e kësaj organizate që të bashkëpunoj me institucionet arsimore, kulturore dhe humanitare të serbëve në Kosovë.

Por, vizita e delegacionit të kësaj organizate po cilësohet si e dyshimtë në Kosovë.

Agim Musliu, njohës i çështjeve të sigurisë mendon këto veprime janë të karakterit të dyshimtë për Kosovën.

“Tendenca e rusëve jo vetëm në Kosovë, por ne gjithë rajonin është padyshim dashakeqe, kjo far qendre kulturore e quajtur ‘Ruski Dom’ është vetëm zgjatje e shërbimeve të tyre të inteligjencës. Rusia gjithë veprimtarinë e vet në Ballkan e ka të karakterit të inteligjencës, edhe në këtë rast kur kjo qendër quhet e kulturës “, tha Musliu për Albanian Post.

Në krye të Qendrës Ruse për Shkencë dhe Kulturë “Shtëpia ruse” në Beograd është Yevgeny Baranov. Musliu thotë se ai është nipi i ish udhëheqësit të intelegjencës ruse, Yevgeny Primakov.

“Madje, kjo është e dëshmuar, sepse trupi amë i ‘Ruski Dom’ në Beograd është me qendër në Moskë, e të cilën e udhëheq Jevgeni Primakov, nipi i ish-kryeministrit sovjetik dhe udhëheqësit të KGB Jevgeni Primakovit të vjetër”.

Ai thotë se kjo është tendencë ruse për destabilizim në Ballkan.

“Kjo tregon më së miri tendencën ruse të këtyre qendrave të Putinit, e cila është me qëllim destabilizimi, shqetësimi më i madh është vizita që iu bëhet kishave ortodokse në Kosovë, në anën tjetër, shqetësim shumë i madh është gatishmëria e klerit të këtyre kishave për të bashkëpunuar me inteligjencën ruse”.

Musliu thotë se veprimtaria e dyshimtë e rusëve përveç në Kosovë e Ballkan, ka filluar të intensifikohet edhe në organizata politikë të ekstremit të djathtë në shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

“Agjentura ruse në Kosovë është e pranishme mu përmes lidhjeve të këtyre organizatave ruse, janë të evidentuara edhe rastet kur agjentura ruse, përveç serbëve, në Kosovë shtrihen edhe përmes disa eksponentëve të disa shteteve të Evropës Perëndimore, të cilët vijnë nga e djathta ekstreme, si shembull, me këtë rast po e përmend vetëm organizatën “Solifarity for Kosovo”, e cila ka degë në 4-5 shtete evropiane, si në Francë, Gjermani, Itali, Çeki etj.

Më tutje njohësi i çështjeve të sigurisë rekomandon se si duhet të pozicionohet Kosova në këso situata.

“Kosova duhet ta ndjekë shembullin e shteteve anëtare të NATO-s ani pse vet nuk është anëtare, përforcimi i kapaciteteve të sigurisë është i domosdoshëm, partneritet me vendet e rajonit që janë pjesë e NATO-së, sepse organizatat e tilla ruse frekuentojnë nëpër rajon”, tha Musliu për AP.

Vizitën e delegacionit të “Shtëpisë ruse” e sheh si kundërvënie ndaj fillimit të fushatës “Europa Defender 21”, njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi.

Ai thotë se ky është intensifikim i punëve në terren të agjenturave ruse, për të iu kundërpërgjigjur manovrave ushtarake të perëndimoreve.

“Rusët janë shumë aktiv, pasi që po zhvillohet aktiviteti Mbrojtja e Europës 21, ata tani po kundërvihen me manovër, rusët nuk kufizohen vetëm në shërbime të inteligjencës, mirëpo implikojnë edhe shoqëritë civile”, tha Ibishi për Albanian Post.

Për njohësin në fjalë krejt kjo ka një funksion dhe një qëllim të dikujt, “çdo aktivitet çoftë edhe i ashtuquajturës qendra kulturore ruse, është në shërbim të regjimit të pushtetit të Putinit”.

Ai thotë se shteti duhet të jetë i vëmendshëm.

“Këtë duhet ta marrim me shumë seriozitet, sepse ata duan që në forma të ndryshme të futën dhe të marrin informacione, përdorin edhe shoqërine civile, organizata kulturore, por realisht krejt këto janë mision i intelegjencës ruse me qëllim të marrjes se informacionit”, theksoi ai për AP.

Këto veprime të Rusisë për Ibishin janë fakt i kryer tani më, pasi që rusët thuajse kanë agjentura në shumë vende të Ballkanit.

“Rusia ka intensifikuar edhe veprimet agresive, me atashe ushtarak, p.sh. në Bosnje, Bullgari, Maqedoni edhe në Shqipëri, plus dy të ashtuquajturat “qendra humanitare”, e që realisht janë qendra inteligjente, që veprojnë për kontrollin e lëvizjes së forcave të KFOR-it dhe NATO-së,” shtoi ish deputeti.

Duke mos u reduktuar vetëm në forma zyrtare ushtarake, por edhe me ato kulturore e të shoqërisë civile, rusët duan të kontrollojnë Ballkanin.

“Rusët mundohen me çdo kusht të zhvillojnë prezencën gjeostrategjike në rajon”, përfundon Ibishi.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore