Shqipëria

Shqiptarët po përdorin edhe ‘Jet Ski’ për të kaluar ngushticën Francë-Angli


Një metodë tjetër mund të jetë duke u përdorur për të shmangur përballjen me Marinën britanike, nga ana e emigrantëve, të cilët rrezikojnë jetën duke kaluar ngushticën detare të Le Manche, mes Francës dhe Britanisë së Madhe, ku katër nga dhjetë persona që e ndërmarrin aktin, janë shqiptarë.

Është shërbimi kufitar i Mbretërisë së Bashkuar që ka nisur hetime mbi dyshime shumë të forta se motorët e ujit, të njohur si “Jet Ski”, të cilët mund të arrijnë shpejtësi shumë të larta në det, po përdoren nga trafikantët për të kaluar persona ilegalisht drejt Britanisë së Madhe.

Zyrtarë, të cilët merren me çështje kufitare, kanë raportuar gjatë kësaj kohe tentativa të dyshimta të transportit me “jet ski”, pranë Devon-it jugor.

Në disa ndalime të kryera, personat në bordin e motorëve të ujit nuk kanë arritur të justifikojnë qenien e tyre aty nëpërmjet dokumentacionit të nevojshëm, i cili paraqitet për këto mjete lundruese.

Ndaj, është dyshuar se kjo mënyrë e re (më pak e kontrolluar nga oficerët kufitarë), po përdoret nga grupe të strukturuara.

Kjo ka bërë që të investohet edhe më shumë nga Mbrojtja britanike, për të identifikuar rastet e tilla.

Mjete të lundrimit, të cilat mbajnë deri në 90 persona në bord, janë në dispozicion në çdo kohë, për të mos lejuar asnjë emigrant të humbë jetën gjatë procesit të ndalimit.

Mirëpo, sërish, shqetësimi mbetet tepër i lartë, pasi shqiptarët, apo personat e kombësive të tjera, të cilët pikasen nga Policia, deklarojnë menjëherë se janë pre e trafikimit njerëzor dhe kërkojnë azil në Britaninë e Madhe, duke nisur procesin e procedurave ligjore, që i mundësojnë ata të integrohen në Mbretërinë e Bashkuar.

Trafikantët shqiptarë, kanë përdorur edhe mediat sociale së fundmi, ku Tik Tok-u është më i përdoruri, për t’i bërë thirrje qytetarëve, që të zgjedhin atë rrugë dhe jo “kamionin” e zakonshëm, për të shkuar drejt ishullit britanik.

Nëse po shqiptarët janë përdorues të metodës së fundit me “jet ski”, kjo nuk është e vërtetuar ende.

Por, gjasat, në bazë të komenteve të autoriteteve dhe hetimeve britanike, janë shumë të larta, parë situatën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore