Lajme

Shqiprim Arifi shkarkohet nga posti i kryetarit të Komunës së Preshevës


Shqiprim Arifi

Shqiprim Arifi, të shtunën, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka njoftuar se të premten është shkarkuar nga posti i kryetarit të Komunës së Preshevës.

Ky shkarkim, sipas tij, ka ardhur në mënyrë arbitrare dhe duke mos u ndjekur asnjë procedurë ligjore.

Sipas Arifit, prapa shkarkimit të tij qëndron Qeveria aktuale e Serbisë.

“Dje në mesnatë, pushteti autoritar i Beogradit, në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar, regjimi serb dhe antishqiptar duke vazhduar traditën e Millosheviqit të viteve të 90ta, në mënyrë të dhunshme më shkarkoi nga posti i Kryetarit të Komunës së Preshevës”.

Arifi në një postim të gjatë në Facebook ka pretenduar se shkarkimi i tij nuk do të mund të realizohej pa ndihmën e, sipas tij, “të shqipfolësve serbofil”, siç janë deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, Ragmi Mustafa e këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës, Ardita Sinani.

“Kjo klasë politike bashkëpunuese besnik të regjimit serb me dekada, janë bërë vegël e lehtë për Vuçiç-in dhe Serbinë për të realizuar agjendën e tij antishqiptare në Luginë të Preshevës”.

Arifi ndër të tjera ka njoftuar se Qeveria serbe, pas shkarkimit të tij ka emëruar një organ të përkohshëm në Komunën e Preshevës deri në zgjedhjet e ardhshme.

Ky organ i përkohshëm, sipas Arifit, do të udhëhiqet nga Ragmi Mustafa.

“Shkarkimi i dhunshëm i imi, mesnatën e mbrëmshme, pa asnjë procedurë ligjore dhe asnjë njoftim, ndodh menjëherë pas kërcënimit të fundit publik të Vuçiçit në këtë javë dhe 24 orë pasi u dënova nga Gjykata serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 Nëntor”, ka shkruar Arifi ndër të tjera.

Arifi gjithashtu ka bërë të ditur se për shkarkimin e tij ka njoftuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Me këtë shkarkim të dhunshëm nga regjimi serb i jap fund politikës aktive në Luginë të Preshevës, por në anën tjetër dhe njëherë më shumë më ka motivuar që luftën ndaj padrejtësisë, diskriminimit, pasivizimit dhe luftën për të drejta elementare dhe avokimin e të drejtave të popullit tim, për shqiptarët autokton të këtyre trojeve, ta ngriti në një nivel më të lartë”.

Arifi dhe partia e tij, Alternativa për Ndryshim, u dënuan nga një gjykatë në Vranjë të Serbisë me një gjobë prej 470 eurosh për vendosjen e flamurit të Shqipërisë në zyrat e partisë në Bujanoc më 27 nëntor 2022, një ditë para përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Në vendim u tha se ai dhe partia e tij u gjetën fajtorë pasi në orën 21:05 të 27 nëntorit të vitit 2022 “kanë shfaqur flamurin e një shteti të huaj, Shqipërisë, pa e shfaqur flamurin e Serbisë”. Me këtë, tha gjykata, Arifi dhe partia e tij, kanë shkelur ligjin që rregullon përdorimin e flamurit dhe simboleve të tjera kombëtare të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore