Shqipëria

Shqipërinë e vizituan 7.5 milionë të huaj gjatë vitit 2022, thotë Kumbaro


Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, deklaroi se 7.5 milionë vizitorë të huaj frekuentuan vendin tonë gjatë vitit 2022.

Lajmi u bë i ditur gjatë publikimit të shifrave zyrtare për turizmin në vitin e kaluar.

Sipas saj, shifrat tregojnë se Shqipëria ka pasur 1.9 milionë më shumë vizitorë se viti 2021 dhe 18 për qind më shumë se viti 2019 që deri tani mbante rekordin si viti më i mirë në turizëm.

Kosova mban numrin më të lartë të vizitorëve, por zyrtarja shqiptare vërejti se rritje kanë pasur edhe vende si Spanja, Anglia, Holanda apo dhe vendet nordike.

Kryeministri shqiptar Edi Rama konfirmoi më herët se Shqipëria u vizitua nga mbi 5.6 milionë turistë gjatë sezonit veror.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës së përbashkët me operatorët turistikë dhe kryebashkiakët për bilancin e sezonit turistik.

“Sezoni ka qenë surprizues sa i përket fluksit të të ardhurave për ekonominë. Në 6-mujorin e parë kemi kaluar 1 miliard të ardhura në ekonomi nga turizmi, pothuajse dyfishi i vitit të mëparshëm. Flukset e vizitorëve të huaj, deri në gusht kemi qenë 5.6 milionë turistë”, theksoi kreu i qeverisë.

Sipas tij, Tirana ka pasur një bum turistësh, ku hotelet dhe apartamentet kanë qenë plot.

Performanca e këtij sezoni turistik përsërit në këtë mënyrë shifrën rekord të sezonit veror të vitit 2018.

Gjatë vitit 2018 rreth 5.6 milionë shtetas të huaj e vizituan Shqipërinë për të pushuar.

Asokohe, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kryesonin prejardhjen e turistëve respektivisht me – 1 milion dhe 680 mijë vizitorë.

Gjatë vitit 2018 numri i turistëve nga Polonia u rrit me 34.2 për qind duke afruar 153 mijë polakë në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore