Shqipëria

Rama: Shqipëria s’ka pasur ndonjëherë qeveri më të vëmendshme ndaj protestave


Mëngjesin e 14 marsit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me pensionistët, të cilëve u ka prezantuar “Paketën e Rezistencës Sociale”.

Gjatë takimit, ai hodhi sytë edhe te protesta që ka mbërthyer vendin gjatë pesë ditëve të fundit në lidhje me rritjen e çmimeve.

Kryeministri, teksa përmendi thirrjet dhe kërkesat e protestuesve, ju drejtua duke u thënë se, “Shqipëria s’ka pasur ndonjëherë qeveri më të vëmendshme ndaj protestave këto tetë vite”.

“Në këto vend haje plumbit ballit kur dilje në protestë, por ne i kemi dëgjuar protestat me respekt“, tha ai.

Ai u ka shpjeguar arsyet e rritjes së çmimeve, duke u bërë të ditur marrjen e masave të qeverisë, si indeksimi i pensioneve apo kompensimi i rritjes së çmimeve të shportës.

Sipas kreut të qeverisë, po të hiqet taksa e karburantit, do të rritet energjia dhe fatura e energjisë paguhet nga pensionistët.

“Kjo është një protestë që e shëmton Shqipërinë dhe një turp kombëtar”, theksoi Rama, teksa përmendi faktin se, po të zbatohen kërkesat e protestuesve, barra do u bjerë pensionistëve.

Sakaq, kryeministri duke ilustruar me fakte tha se, “sot fatura vjen njësoj përpara se të kishte krizë. Me 7 lekë/ kw. Llogarinë që mund të bëni sot, merrni faturën e energjisë dhe shikoni se sa del shifra”.

“Asnjë qeveri tjetër nuk po e bën këtë siç ne nuk kemi rritur çmimin e energjisë, të gjitha qeveritë e tjera kanë rritur çmimin e energjisë direkt”, vijoi Rama.

Ky i fundit ritheksoi se kriza ka ardhur përpara luftës në Ukrainë dhe vendimmarrja ka ardhur përpara kësaj. Por ai vijoi se, pavarësisht kësaj, kriza është thelluar dhe do të ketë ndikim më të madh në botë që prej sulmit të Rusisë në Ukrainë.

Për tre muaj – pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistët që trajtohen me pension invaliditeti, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet në skemë ekonomike – Rama theksoi se shteti do u japë nga buxheti 3 mijë lekë.

“3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve në masë 3.3% për 673 mijë e 813 pensionistë”, shpjegoi Rama në fjalën e tij.

“Se sa kohë do jem unë në detyrë e vendosni ju, jo unë dhe jo ata që dalin në protestë”, ju drejtua ai pensionistëve.

Numri një i qeverisë e përmbylli, duke thënë dhe njëherë që këto protesta janë “turpi i Shqipërisë dhe mund të vazhdojë edhe katër vjet deri në vitin 2025 kur do të bëhen zgjedhjet e tjera”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore