Shqipëria

Shqipëria renditet ndër vendet më të mira të verës në Evropë


Evropa – kur bëhet fjalë për verën – konsiderohet një thesar vendesh me shije të dallueshme dhe tradita shekullore.

Dhe për të eksploruar këto shije, qoftë si adhurues i verës apo thjesht për kuriozitet, mënyra më e vlefshme është që këto vende të vizitohen.

Shqipëria, si një vend prodhues i verës, renditet nder vendet më të mira të verës në Evropë. Për këtë, kurorën e mban Durrësi.

Durrësi, i cili ndodhet përgjatë detit Adriatik, është shtëpia e disa prej prodhuesve më të vjetër të verës në botë.

Blogu We3Travel shkruan se vendi mesdhetar, me një histori të pasur që përfshin mbi 3 mijë vjet, ka qenë prej kohësh i njohur për klimën e shkëlqyer dhe vendndodhjen strategjike që e bëjnë ideal për rritjen e rrushit dhe krijimin e verërave të mahnitshme.

Madje theksohet se Durrësi është një nga vendet më të mira për të shijuar verën shqiptare.

“Kantinat lokale u ofrojnë vizitorëve turne me guidë me gjysmën e çmimit të vendeve fqinje, duke u dhënë vizitorëve një mundësi të eksplorojnë vreshtat e tyre dhe të provojnë disa nga vjeljet e tyre më të mira”, shkruan We3Travel.

Dhe se varietetet autoktone të rrushit shqiptar e kanë bërë këtë rajon të famshëm në mbarë botën.

Si një nga kantinat më të mira për t’u vizituar pranë Durrësit sugjerohet Veraria Kokomani, e cila është e njohur si vendlindja e një prej rrushit më të mirë në të gjithë Shqipërinë, Sheshit.

Është e njohur për prodhimin e verërave të shkëlqyera të kuqe dhe të bardha të prodhuara nga rrushi Shesh.

Por Durrësi nuk njihet vetëm për kantinat e verës.

“Durrësi është një vend i mrekullueshëm për të qëndruar në Shqipëri. Përveç shijimit të verës, ka shumë gjëra të tjera për të bërë, të tilla si vizita në rrënojat e lashta, plazhi ose eksplorimi i qyteteve dhe fshatrave tradicionale”, vijon blogu.

Po ashtu vihen në dukje edhe disa nga restorantet më të mira të prodhimeve të detit në vend dhe kuzhinës tradicionale shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore