Shqipëria

Shqipëria prezanton javën e ardhshme përafrimin e ligjeve me BE-në


Autoritetet shqiptare do të prezantojnë gjatë javës së ardhshme në Bruksel përafrimin e ligjeve me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Lajmi u bë i ditur nga misioni diplomatik i BE-së në Tiranë.

Sipas tyre, përgatitjet për negociatat e anëtarësimit po ecin me ritëm të plotë.

“Javën e ardhshme Shqipëria do të prezantojë në Bruksel se sa janë ligjet shqiptare në përputhje me kërkesat e BE-së dhe çfarë duhet bërë ende”, shkruan diplomacia evropiane në Twitter.

Për t’u përgatitur, ekspertët e integrimit në BE po punojnë ngushtë me zyrtarë të qeverisë shqiptare për t’i bërë këto prezantime sa më efektive.

BE-ja, sipas njoftimit, mbetet plotësisht e përkushtuar për të vazhduar mbështetjen e Shqipërisë gjatë procesit të anëtarësimit.

Rrugëtimi

Shqipëria, pas hapjes së negociatave në korrik, do niste bisedimet më 27 shtator për grupin e parë të kapitujve themelorë drejt integrimit evropian.

Puna konkrete asokohe u përqendrua te “gjyqësori dhe të drejtat themelore”.

Ky kapitull i negociatave, ishte një kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë dhe është ndër më të rëndësishmit të integrimit të shteteve jo anëtare në BE.

Takimi kishte në vëmendje shpjegimin e standardeve të legjislacionit të Bashkimit Evropian lidhur me garantimin e një mbrojtje gjyqësore efektive.

Po ashtu, u trajtuan çështje si politikat antikorrupsion, mbrojtja e të dhënave personale, mosdiskriminimi, të drejtat e fëmijëve apo liria e medias.

Autoritetet shqiptare vijuan rrugën e negocimit më 7 tetor për grupin e kapitujve themelorë drejt integrimit evropian.

Bëhej fjalë për shpjegimin e “Kapitullit 9”, i cili lidhet me “shërbimet financiare”.

“Një tjetër takim i rëndësishëm shpjegues po zhvillohet në Bruksel me ekipet e Komisionit Europian dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mbi Kapitullin 9: Shërbimet Financiare”, shkruante misioni diplomatik shqiptar në Twitter.

Përafrimi i legjislacionit

Ky proces i përafrimit ligjor njihet edhe si “aquis” (diçka për të cilën është rënë dakord).

Për secilin kapitull, dy takime formale ndërqeveritare zhvillohen mes vendeve kandidate dhe strukturave të BE-së.

Me plotësimin e kushteve të një kapitulli të caktuar nga vendi që aspiron unionit, kalohet në kapitullin tjetër, e deri në përmbylljen e gjithë procesit.

Një raport publikohet më pas nga Komisioni Evropian për çdo kapitull të diskutuar në konferencë.

Këshilli i Evropës më pas, është ai që vendos ta pranojë apo jo propozimin e ardhur nga raporti i Komisionit. Në bazë unanimiteti, vendoset edhe hapja ose jo e kapitujve nga një vend.

Më pas, e njëjta procedurë vlen edhe për mbylljen e kapitujve, deri në plotësimin tërësor të tyre.

Në rast më pas të arritjes së mbylljes së të gjithë kapitujve nga një vend, “Traktati i pranimit” merr jetë. Por, procesi i negociatave zgjat zakonisht disa vjet, në varësi të plotësimit të kushteve nga vendi kandidat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore