Shqipëria

Shqipëria përballet me Rusinë në Këshillin e Sigurimit për fabulën e “trafikut të organeve”: Qesharake, riciklimi i kompletit më absurd


Zëvendës ambasadorja shqiptare në Këshillin e Sigurimit, Albana Dautllari i është kundërpërgjigjur të martën e 12 shtatorit përpjekjeve të diplomacisë ruse për të vijuar me fabulën e trafikut të aluduar të organeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“E njëjta përrallë siç e dëgjuam sot sërish përpjekjen e Rusisë për të krijuar ngjashmëri mes agresionit të saj ushtarak në Ukrainë dhe Republikës së Kosovës. Është dhe mbetet një përpjekje e dëshpëruar të cilën ne e hedhim poshtë. Është edhe më qesharake riciklimi i kompletit më absurd që do të marrin ndonjëherë, i ashtuquajturi trafikim i organeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, theksoi fillimisht diplomatja shqiptare.

Dautllari ndërpreu tregimin e trafikut të organeve, por të theksuar se operacionet e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 pasuan një vit përpjekjesh intensive diplomatike të OKB-së dhe grupit të kontaktit, anëtare e të cilit Rusia ishte deri në fund të konfliktit.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së vazhdimisht e cilësoi spastrimin etnik në Kosovë dhe numrin në rritje të refugjatëve si kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Misioni i NATO-s ndihmoi për t’i dhënë fund shkeljeve në shkallë të gjerë dhe të vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe vrasjeve të civilëve. KFOR-i, misioni i vazhdueshëm paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ka një mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe mbështetet nga Kosova dhe Serbia”, tha numri dy i Presidencës së KS-së në OKB.

Sipas saj, tani Rusia po përpiqet të përdorë të njëjtën përrallë, të njëjtat argumente kundër Ukrainës.

“Askush nuk habitet nga kjo propagandë, por është për të ardhur keq që Këshilli i Sigurimit përdoret për një narrativë të tillë të deformuar ndërkombëtare për të fshehur krimet e tyre, të cilat nga ana e tyre janë verifikuar, dokumentuar dhe një ditë do të paraqiten në gjykatë. Problemi nuk është Kosova. Çështja këtu është agresioni rus dhe pasojat e tij”, ravijëzoi në përmbyllje Dautllari.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova ka pretenduar se individë të UÇK-së mund të kenë lidhje apo merren me trafikimin e organeve, ndërsa ka përmendur edhe gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së që ka nisur në muajin prill në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë të Holandës.

Rusia ka kohë që është përqendruar në lojën e propagandës dhe dezinformatave, veçanërisht pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, nëpërmjet mediave tradicionale dhe ato sociale, për të ndryshuar narrativën në favor të saj, ashtu sikurse fushata dezinformuese e Serbisë kundër Kosovës.

Rama: Historia e shpifur e trafikut të organeve u nxit nga Rusia

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore