Shqipëria

Rama: Historia e shpifur e trafikut të organeve u nxit nga Rusia


Akuza të forta kanë ardhur pas Konferencës së parë Ndërqeveritare nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, karshi shtetit rus, pasi ai theksoi se historia e trafikimit të organeve në Kosovë (e cila akuzon ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte), është një sajesë e shpifur e nxitur nga Rusia.

Kreu i Qeverisë, u pyet konkretisht për sulmin kibernetik të ndodhur ndaj Shqipërisë, për të kuptuar nëse Moska mundet ose jo të ketë gisht aty.

Rama tha se këtë ende nuk e dinte, por ka histori trillimi dhe politikëbërje nga ana e Kremlinit, të cilat e tejkalojnë këtë të sulmit kibernetik, duke përmendur akuzat për trafikim organesh ndaj krerëve të UÇK-së.

“Por është një histori shumë e shpifur e  trafikut të organeve u nxit nga Rusia dhe jo nga dikush tjetër dhe nga zëdhënësa rusë. Prandaj çfarë thash dhe çfarë mund të them sërish është se duke parë akuzat, nuk ka asnjë provë për trafik organesh dhe siç e dini kjo gjykatë speciale është ngritur bazuar mbi këtë raport”.

I ndalur edhe në raportin e Dick Martyt, i cili ka sjellë në jetë Gjykatën Speciale që ka çuar në bankën e akuzës ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe politikanë të tjerë të nivelit të lartë në Kosovë, Rama ka theksuar se është një raport plot me gjepura.

Së fundmi, Shqipëria paraqiti në Parlament edhe një projektrezolutë mbi raportin e Dick Martyt, ku pretendohet që çështja të shkojë deri në Këshillin e Evropës, për tërheqjen e akuzave ndaj Thaçit e të tjerëve.

“Janë bërë shumë hetime të pavarura për këtë në Shqipëri dhe Kosovë dhe nuk kanë sjellë asnjë provë për këtë akuzë” vijoi më tej ai. “Nuk është akuzë, janë fakte dhe nuk ka asnjë provë të kushedi se sa hetimeve që ka pasur trafikim të organeve njerëzore të organizuar nga udhëheqja e UÇK që ka qenë viktimë e një sulmi të organizuar në të gjithë botën”.

Teksa, në përmbyllje, kryeministri shqiptar, ka thënë se gjithçka, ka bërë me një faqe turpi të Këshillit të Evropës. Ndaj, Komisioni Evropian duhet të gjejë kurajën t’u thotë të akuzuarve “më falni”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore