Shqipëria

Shqipëria merr presidencën e Këshillit të Sigurimit


Më 1 janar 2022, Shqipëria do të niste zyrtarisht mandatin e saj të përkohshëm dy-vjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së – një ndër arritjet më të mëdha diplomatike të vendit që prej shtetformimit në 1912-ën.

Gjashtë muaj më pas dhe delegacioni shqiptar, do të marrë presidencën e Këshillit për të parën nga dy herët që i takojnë në 24 muaj.

Thelbi i gjithë kësaj periudhe 30-ditore, sigurisht që do të jetë çështja e Ukrainës, pasi vendi është edhe bashkëpenëmbajtës i kauzës, në krah të SHBA-ve (në të majtën e të cilëve ulet delegacioni shqiptar).

Megjithatë, një zë me rëndësi pritet të gjejë edhe lobimi për njohjen e mëtejshme të Kosovës nga shtete të tjera, duke kryer kështu rolin e një shteti ambasador të Kosovës në organin më të lartë të OKB-së.

Vetë kryeministri, Edi Rama, ka udhëtuar për në New York me rastin e marrjes së stafetës presidenciale, ku paraditen e 2 qershorit pritet të drejtojë edhe debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare të Rusisë karshi Ukrainës.

Nuk do të ndalet me kaq gjithsesi mandati shqiptar në krye të mbledhjeve.

Pjesa më e ngarkuar do të jetë gjysma e dytë e muajit.

Kryediplomatja shqiptare, Olta Xhaçka, në dy ditë (15-16 qershor), do të drejtojë një mbledhje të debatit të hapur dhe një sesion informimi.

Një mbledhje tjetër e një debati të hapur, do të jetë ajo e datës 28 qershor, ku drejtimin do ta marrë ambasadori i përhershëm shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha.

Takimet e para kanë nisur që më 31 maj, kur Rama është takuar me ambasadoren amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Ajo e ka theksuar veçanërisht pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në KS, mbi të gjitha me zërin e lartë dhe të qartë kundër agresionit rus në Ukrainë.

Delegacioni shqiptar po ashtu ka pasur rol aktiv përgjatë pesë muajve të parë të mandatit, në aspekte si zhvillimi i mbledhjeve të posaçme, hartimi i rezolutave të ndryshme dhe drejtimi i mbledhjeve me rëndësi të veçantë për llogaridhënien dhe hetimin e plotë të krimeve të luftës në Ukrainë.

Fjalët më të mira janë thënë edhe nga aktorët ndërkombëtarë mbi pjesëmarrjen proaktive të Shqipërisë në Këshill, duke i mëshuar faktit se vendi po luan rol jo vetëm në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe në atë të pasjes së një zëri global të fuqishëm.

Këshilli i Sigurimit është ndër organet më të rëndësishme të OKB-së, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore