Shqipëria

Shqipëria kërkon qartësi në KS për dronët iranianë të përdorura nga Rusia


Shqipëria ka kërkuar një përgjigje të qartë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, lidhur me përdorimin e dronëve iranianë nga Rusia për të sulmuar civilët dhe infrastrukturën civile në të gjithë Ukrainën.

“Teksa jemi thirrur të flasim për armët vdekjeprurëse, çështja reale dhe shumë shqetësuese është transferimi i dronëve vrasës në Rusi nga Irani, në shkelje flagrante të paragrafit IV të Aneksit B të Rezolutës 2231 (2015) të Këshillit të Sigurimit”, u shpreh fillimisht zëvendës ambasadorja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, Albana Dautllari.

Sipas diplomates shqiptare, këta dronë, fillimisht të mohuar dhe më vonë të pranuar, të dorëzuar nga Irani dhe të përdorura nga Rusia janë pyetja e vërtetë që kërkon një përgjigje të qartë.

“Ne presim që Sekretari i Përgjithshëm, në zbatimin e rezolutës 2231, të japë së shpejti një raport të plotë për këtë çështje”, theksoi Dautllari.

Gjatë fjalës së saj, ajo shtoi se Shqipëria është krenare që është ndër ata që bëjnë çfarë mundet për të ndihmuar Ukrainën dhe ukrainasit.

“Ne po ndihmojmë një vend, ekzistenca e të cilit është në rrezik, të rezistojë dhe të shpëtojë në luftën që nuk e ka zgjedhur”, vijoi zëvendës ambasadorja shqiptare.

Shqipëria ravijëzoi në misionin e saj diplomatik se lufta në Ukrainë, është një luftë e zgjedhur, një agresion kundër një vendi tjetër, një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Dautllari vërejti gjatë fjalës së saj, se të ndihmosh Ukrainën që të mbrohet nga një luftë brutale është “një detyrë morale dhe një imperativ thelbësor i sigurisë”.

Kjo, pasi veprimet e Rusisë “minojnë seriozisht” sigurinë dhe stabilitetin evropian dhe global.

Në përmbyllje, diplomatja kujtoi se synimi i civilëve dhe infrastrukturës civile përbën një shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar.

“Ata që nuk respektojnë ligjin duhet të përballen me pasoja, ata që kryejnë krime duhet të mbajnë përgjegjësi”, ishte thirrja finale e Dautllarit.

Shpërthime të shumta në Kiev, raportohet për sulme me dron kamikazë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore