Shqipëria

Shqipëria firmos memorandum mirëkuptimi për gazin me Spanjën


Autoritetet shqiptare kanë firmosur një memorandum mirëkuptimi ndërmjet kompanisë shtetërore AlbGaz dhe kompanisë spanjolle Enagas gjatë qëndrimit të tyre në Spanjë.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria për Tranzicionin Ekologjik dhe Sfidën Demografike në Spanjë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëspresidentja dhe ministrja për tranzicionin ekologjik dhe sfidën demografike, Teresa Ribera dhe ministrja shqiptare e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, morën pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes.

Në këtë akt, CEO i Enagás, Arturo Gonzalo dhe AlbGaz, Arbër Avrami, kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) për të bashkëpunuar në zhvillimin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri.

Kjo marrëveshje hedh themelet për të kontribuar në sigurinë e furnizimit me energji, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel rajonal, dhe në dekarbonizimin e ekonomisë së saj, duke zhvendosur karburantet ndotëse dhe duke promovuar gazrat e rinovueshme.

Gonzalo vuri në dukje se “kjo marrëveshje që ne po nënshkruajmë sot hap rrugë përkatëse për bashkëpunim në të ardhmen”, pasi “bashkëpunimi ndërmjet OST-ve evropiane është kyç në kontekstin aktual” dhe shpjegoi se “këto projekte janë qartësisht në përputhje me qëllimin e Enagás-it për të kontribuar në sigurinë e furnizimit dhe dekarbonizimit në Evropë”.

Përveç kësaj, ai detajoi se “kompania tashmë ka një marrëdhënie me AlbGaz falë pranisë së Enagás në 16 për qind të aksioneve të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) – që lidh Turqinë me Italinë përmes Greqisë dhe Shqipërisë.

Nga ana e tij, Avrami, theksoi se “ky memorandum prezantohet si një simbol i koordinimit strategjik dhe vizionit të përbashkët mes AlbGaz dhe partnerit tonë të vyer Enagás, i cili përshkruan mundësitë e bashkëpunimit në një sërë projektesh që përfshijnë programin IAP”.

“Jam i bindur se ky bashkëpunim do të jetë një garanci shtesë për realizimin e këtyre projekteve ambicioze dhe të vizionit që parashikon shndërrimin e Shqipërisë në një qendër rajonale energjetike”, shtoi ai.

“Enagas” është një kompani spanjolle energjetike dhe operator europian i sistemit të transmetimit, që zotëron dhe operon rrjetin spanjoll të gazit.

Që nga marsi i vitit 2014, Enagás Transporte ka ofruar kapacitet për lidhjet me Francën dhe Portugalinë.

Kjo, në përputhje me kodin e rrjetit të kapacitetit në koordinim me transportuesit ngjitur në platformën e ankandit PRISMA European Capacity Platform GmbH.

Oferta e kapacitetit bëhet përmes ankandeve të produkteve të standardizuara në datat e përcaktuara në kalendarin e ankandeve të publikuar nga ENTSOG çdo vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore