Shqipëria

Shqipëria drejt legalizimit të kanabisit


Rezultatet e Këshillimit Kombëtar folën qartë të enjten e 7 prillit.

Të pyetur mbi legalizimin apo jo të kanabisit për përdorim mjekësor, 61 për qind e shqiptarëve janë shprehur pro lejimit të kultivimit. Kundër ishin vetëm 29 për qind e qytetarëve.

Këto të dhëna i zbuloi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili garantoi se ky proces do të fillojë shumë shpejt.

Lidhur me rrjedhojën e këtij vendimi, Rama sqaroi se në Shqipëri nuk do të lejohet përdorimi vetjak i kanabisit.

Kreu i qeverisë shtoi se kultivimi do të bëhet në kushte shumë strikte laboratorike, super të kontrolluara dhe super të certifikuara.

Produkti, sipas kryeministrit, mund të shkojë për eksport ose mund të përdoret në Shqipëri nëse do të ngrihet industria e përpunimit të saj.

Shqipëria do të bëhej shteti i tretë pas Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut që do të ndërmerrte një hap të tillë legjislativ në rajon.

(Can)abis

Në vitin 2000, Shqipëria do t’i bashkohej Konventës së Përbashkët për Drogat Narkotike të vitit 1961, tregon fillimisht juristja Ardita Sokoli për Albanian Post.

Detaji i kësaj konvente, sipas juristes, është se nuk e ndalonte trajtimin mjekësor apo kërkimor, edhe pse nuk u zhvillua kurrë.

Në lidhje me legjislacionin shqiptar, në vitin 1994, qeveria shqiptare vendosi “Ligjin e substancave narkotike dhe psikotrope”.

Kanabisi, shton Sokoli, do të përfshihej në listën e drogave të kontrolluara.

Një vit më pas, do të krijohej kodi penal i Republikës së Shqipërisë, që ndalonte përdorimin, prodhimin dhe tregtimin e lëndëve narkotike.

Strategjia Kombëtare Kundër Drogës 2012-2016, e zbatuar nga Shqipëria, theksonte luftën ndaj abuzimit me drogën, kultivimin apo tregtimin e saj.

“Kultivimi i bimëve që shërbejnë, ose dihet se shërbejnë për prodhimin dhe nxjerrjen e lëndëve narkotike dhe psikotrope, qoftë edhe për qëllime industriale, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. E njëjta vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet”, shpjegon juristja për AP-në.

Qeveria shqiptare, në vitin 2016, diskutoi mbi legalizimin e kultivimit të kanabisit industrial.

Vende të ndryshme evropiane po përqafojnë përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.

Në vitin 2020, kryeministri Edi Rama do të shprehej se ishte koha për të hyrë në këtë treg fitimprurës.

“Kultivimi i paligjshëm është plotësisht nën kontroll. Ky është viti i tretë apo i katërt i konsolidimit. Ne planifikojmë ta kalojmë projektligjin në këtë seancë të parlamentit”, ishte një angazhim i hershëm i Ramës.

Cana(bis)

Abuzimi me kanabisin ka qenë një çështje shqetësuese për shoqërinë shqiptare vitet e fundit, pas mbjelljes së saj të paligjshme.

Kështu shkruan profesori i Neurologjisë, Gentian Vyshk, në artikullin e tij shkencor të publikuar në revistën e Etikës Mjekësore.

Sipas profesorit shqiptar, politikbërësit kanë anashkaluar shpeshherë opsionin e legalizimit të kanabinoideve për kushtet klinike që mund të gjejnë lehtësim në përdorimin e tyre.

Diskutimi i një rasti që vuan nga nevralgjia postherpetike tregon se si ky opinion negativ po i privon pacientët shqiptarë nga një opsion farmakologjik i dobishëm.

Klinicienët me ekspertizë duhet të thonë fjalën e tyre në debat, shton Vyshka, pasi për shumicën e vendeve ku kanabisi medicinal legalizohet, kjo ishte për shkak të nismave të drejtuara nga konsumatorët.

Sigurimi i lirisë së pacientëve siç nënkuptohet brenda parimit të autonomisë është gjithashtu një mbështetje e shëndoshë etike e një legalizimi të tillë, sqaron neurologu.

“Është e qartë se statusi ligjor i kanabisit si një drogë abuzimi duhet të mbetet i ndarë nga kuadri mjekësor”, shkruan Vyshka.

Profesori vëren në artikull se frika e politikbërësve po pengon një legjislacion ad hoc logjik dhe të orientuar nga mjekësia në Shqipëri.

Në një kohë kur disa vende tashmë kanë avancuar në këtë drejtim dhe e kanë miratuar atë në përputhje me rrethanat, përmbyll profesori i Neurologjisë.

Canabis(imet)

Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, si Çekia, Lituania dhe Polonia, janë ndër vendet e pakta në Evropë që kanë legalizuar përdorimin e marijuanës për qëllime mjekësore.

Ish-kryeministri Zoran Zaev premtoi asokohe se do ta transformonte Shkupin në një “Amsterdam në Ballkan”.

Propozimi i Zaev-it, ishte që marihuana të bëhej plotësisht e ligjshme për t’u përdorur dhe të ishte e disponueshme gjerësisht në kafenetë e stilit holandez.

Në një intervistë për Deutsche Welle-n, Zaev mohonte se pas legjislacionit të tij të propozuar qëndronin interesa personale.

Ai premtoi se do të bëheshin përpjekje për të siguruar që fitimet e mundshme të riinvestoheshin në vend.

Posedimi dhe përdorimi i bimës nuk është ende i ligjshëm në të gjitha rrethanat.

RMV-ja u frymëzua nga qasja kanadeze e tregut të lirë për kultivimin dhe shitjen e kanabisit, me kompanitë private që lejohen të kultivojnë dhe shpërndajnë bimën.

Në vitin 2018, Korporata Ndërkombëtare Kanabis Kanadeze (ICC) ra dakord të blejë 100 për qind të Balkan Cannabis Corp.

Kjo e fundit, ka licencën maqedonase për kultivimin dhe nxjerrjen e kanabisit mjekësor, si dhe licencat bullgare të kultivimit të kanabisit mjekësor dhe kërpit.

Raporti 

Më shumë se gjysma e popullsisë evropiane mbështet legalizimin e përdorimit të kanabisit për të rriturit.

Kjo, sipas të dhënave të konsulentëve të kësaj industrie, e cila u publikua të enjten e 7 prillit nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Qasja liberale e Evropës mund të korrë përfitime të shumta financiare dhe ekonomike siç shihet në Shtetet e Bashkuara.

Shumica e evropianëve mbështesin dyqanet e rregulluara të kanabisit, ndërsa një pjesë prej tyre nuk janë pro rritjes së bimës në shtëpi.

Raporti vjen një javë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve miratoi një projekt-ligj për t’i dhënë fund ndalimit federal të marijuanës.

Shumë vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, e kanë legalizuar kanabisin për qëllime të kufizuara mjekësore.

Malta u bë vendi i parë evropian që lejoi kultivimin e kufizuar dhe përdorimin personal të kanabis-it.

Tregu evropian i kanabis-it pritet të kalojë 3 miliardë euro të ardhura vjetore deri në vitin 2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore