Shqipëria

Shqipëria drejt anëtarësimit në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, Peleshi pret komisionerin evropian


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile, Haki Çako, pritën në një takim, në ambientet e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, komisionerin evropian për Mbrojtjen Civile, Janez Lenarčič.

Ky takim u zhvillua në kuadrin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalës së tij, Peleshi theksoi se anëtarësimi në këtë mekanizëm është një hap i rëndësishëm për forcimin, bashkëpunimit dhe bashkërendimit në nivel evropian dhe përmirësimit të sistemit të mbrojtjes civile dhe menaxhimit të riskut nga fatkeqësitë.

Ai informoi Lenarčič-in mbi zhvillimet e fundit dhe reformimin e sistemit të Mbrojtjes Civile në rang kombëtar, me synim përballimin sa më efikas të krizave në shkallë të gjerë.

Gjithashtu, ministri i Mbrojtjes shprehu mirënjohjen e thellë mbi kontributin dhe solidaritetin e treguar nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së në momente të vështira që ka kaluar vendi ynë gjatë tërmetit të vitit 2019, pandemisë COVID-19 dhe zjarreve në stinën e verës.

Gjatë takimit u theksua fakti se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe këtij mekanizmi në fushën e mbrojtjes civile do të vazhdojë të forcohet në të ardhmen.

Një ditë më parë, në një konferencë për mediat, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i dorëzoi Lenarčič-it letrën e interesit për t’u bërë pjesë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.

Komisioneri shprehu ngazëllimin për aplikimin e Shqipërisë për t’u bashkuar.

Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes dhe Komisioneri Evropian për Mbrojtjen Civile të BE-së iu drejtuan ambienteve të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, për të vëzhguar nga afër kapacitetet zhvilluese të vendit tonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore