Shqipëria

Shqipëria do të jetë pjesë e paketës së radhës ushtarake të NATO-s për Ukrainën


Shqipëria do të përfshihet në përgatitjen e paketës së radhës ushtarake për Ukrainën.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes, duke cituar fjalën e ministrit Niko Peleshi gjatë takimit të Ramstein-it.

Kujtojmë që ky ishte takimi i tetë i ministrave dhe shefave të shtabit të mbi 50 vendeve të botës që prej fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës.

Zyrtari shqiptar përmendi fillimisht kontributin që Shqipëria ka ofruar për Ukrainën, ndërsa njoftoi përgatitjen e paketës së radhës, në koordinim dhe bashkëpunim me Aleatët dhe Partnerët tanë.

Takimi i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës u zhvillua në Bazën Ajrore në Ramstein, Gjermani të premten e 20 janarit.

Ai u drejtua nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd J. Austin dhe u fokusua në vijimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, si dhe çështjet e tjera të sigurisë, me të cilat përballen Aleatët dhe Partnerët e NATO-s.

Gjatë fjalës së tij, Peleshi vlerësoi popullin ukrainas për kurajon dhe vendosmërinë e treguar si dhe lidershipin e qeverisë, teksa po mbushet një vit që nga nisja e luftës.

Gjithashtu, ministri shqiptar i shprehu ngushëllime homologut të tij ukrainas për jetët e humbura nga sulmet e fundit ruse.

Më herët, autoritetet gjermane thanë se do të kishin nevojë për një marrëveshje nga aleatët për të dhënë dritën jeshile për dorëzimin e tankeve gjermane në Ukrainë.

Kjo, për të shmangur pushtimin e Moskës, duke shuar shpresat e Kievit për një vendim të shpejtë.

Shtetet e Bashkuara dhe Finlanda njoftuan ndihma të reja ushtarake përpara mbledhjes në bazën ajrore Ramstein, ku fokusi kryesor ishte nëse Gjermania do të lejojë rieksportin në Ukrainë të tankeve të saj Leopard 2 të përdorur nga ushtritë në të gjithë Evropën.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Pistorius deklaroi se nuk mund të thoshte se kur do të kishte një vendim për tanket, por se Gjermania ishte e përgatitur të lëvizte shpejt nëse do të kishte marrëveshje mes aleatëve.

Qeveria e kancelarit Olaf Scholz është shfaqur ngurruese për të autorizuar rieksportin e tankeve nga vendet që i përdorin ato nga frika se mos provokojnë Rusinë.

Disa aleatë, së bashku me Ukrainën, thonë se shqetësimi i Gjermanisë është i gabuar me Rusinë tashmë plotësisht të angazhuar në luftë.

Kremlini tha se furnizimi me tanke në Ukrainë nuk do të ndihmonte, duke thënë se Perëndimi do të pendohej për “iluzionin” e tij se Kievi mund të fitonte në fushën e betejës.

Presidenti ukrainas Volodmyr Zelenskiy, duke folur në fillim të takimit, falënderoi aleatët për mbështetjen e tyre, por tha se nevojiteshin më shumë dhe më shpejt.

Rusia po rigrupohej, po rekrutonte dhe po përpiqej të ripajisej, tha në takim sekretari amerikan Lloyd Austin.

“Ky nuk është një moment për të ngadalësuar. Është koha për të gërmuar më thellë. Populli ukrainas po na shikon”, tha ai, pa iu referuar specifikisht tankeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore