Shqipëria

Shqipëria dhe SHBA-të zhvillojnë takim në KS për reagimin ndaj sulmeve kibernetike


Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara së bashku me Ekuadorin dhe Estoninë po zhvillojnë të enjten e 25 majit një takim “Arria” të Këshillit të Sigurimit mbi përgjegjësinë dhe reagimin e shteteve ndaj sulmeve kibernetike ndaj infrastrukturës kritike.

Nën titullin “Përgjegjësia dhe reagimi i shteteve ndaj sulmeve kibernetike në infrastrukturën kritike”, ky takim do të bashkëdrejtohet nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka.

Takimi “Formula Arria” është një takim jozyrtar i anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSB), i cili duhet të thirret nga një anëtar i KS të OKB-së në mënyrë që takimi të zhvillohet.

“Është kënaqësi të bashkëkryesoj këtë takim për një çështje kaq të rëndësishme me Përfaqësuesin e SHBA-së në OKB, ambasadoren Linda Thomas-Greenfield”, u shpreh fillimisht kryediplomatja shqiptare.

Sipas saj, siguria kibernetike dhe siguria ndërkombëtare e paqes janë të ndërlidhura.

Kjo, për shkak të potencialit që sulmet kibernetike të prishin infrastrukturën kritike, përfshirjen e aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë, implikimet ekonomike të incidenteve kibernetike dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar për të vendosur norma dhe për të zbutur rreziqet kibernetike.

“Trajtimi i sfidave të sigurisë kibernetike është thelbësor për ruajtjen e stabilitetit, nxitjen e besimit midis kombeve dhe promovimin e paqes në epokën dixhitale. Siguria kibernetike kërkon bashkëpunim dhe dialog ndërkombëtar për të adresuar kërcënimet kibernetike dhe pikërisht për këtë bëhet fjalë në takimin e sotëm”, theksoi gjatë fjalës së saj Xhaçka.

Takimin e 25 majit, zyrtarja shqiptare e konsideroi si “një hap drejt forcimit të përpjekjeve tona të përbashkëta për të promovuar sjelljen e përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike dhe për të përqafuar bashkëpunimin ndërkombëtar për të zbutur rreziqet kibernetike”.

Shqipëria është një ndër anëtarët e NATO-s që pësoi gjatë vitit të kaluar sulme kibernetike të nisura nga hakerat e sponsorizuar nga shteti.

Lituania, Estonia, Mali i Zi dhe së fundmi Shtetet e Bashkuara ishin të gjithë viktima të një sërë sulmesh që synonin faqet e internetit të qeverisë dhe infrastrukturën kritike.

Ekspertët thanë se asnjë nga sulmet e fundit kibernetike që synonin anëtarët e NATO-s nuk arriti në nivelin ku aleanca do të konsideronte seriozisht nxitjen e Nenit 5.

Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke akuzuar Republikën Islamike për një sulm kibernetik në muajin korrik.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi më 7 shtator të vitit të kaluar se kishte urdhëruar diplomatët dhe stafin iranian të mbyllnin ambasadën dhe të largoheshin nga vendi brenda 24 orëve.

Këshilli i Atlantikut të Veriut la të hapur mundësinë asokohe që aleanca mund të marrë në konsideratë “përgjigjen e mundshme kolektive”.

Mbrojtja kolektive, të cilit i referohet NATO në këtë rast, do të thotë që një sulm kundër një aleati konsiderohet si një sulm ndaj të gjithë aleatëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore