Shqipëria

Shqipëria dhe Rusia “përplasen” për një vend në UNHRC


Shqipëria dhe Federata Ruse janë në garën vjetore për zgjedhjet e ardhshme për Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHRC) prej 47 vendesh.

Organizata joqeveritare “UN Watch” me bazë në Gjenevë, i ka kërkuar organizmit botëror të kundërshtojë Rusinë, Kinën, Kubën, Burundin dhe Kuvajtin në zgjedhjet e ardhshme për Këshillin e të Drejtave të Njeriut.

Kjo, duke i konsideruar ata “të pakualifikuar” për shkak të të dhënave të tyre për të drejtat e njeriut si dhe të dhënat e tyre të votimit për rezolutat e OKB-së në lidhje me të drejtat e njeriut.

Abuzimet nga këta kandidatë janë të detajuara në një raport të ri të përbashkët të OJQ-ve të publikuar nga UN Watch, Fondacioni për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Raoul Wallenberg për të Drejtat e Njeriut, organizata të pavarura joqeveritare për të drejtat e njeriut me bazë në Zvicër, SHBA dhe Kanada.

“Zgjedhja e diktaturave të Kinës, Rusisë dhe Kubës si gjyqtarë të OKB-së për të drejtat e njeriut është si të futësh një bandë zjarrvënësish në brigadën e zjarrit”, tha Hillel Neuer, drejtor ekzekutiv i UN Watch.

Sipas tij, kjo do të jetë një shuplakë në fytyrë për mijëra të burgosurit e tyre politikë dhe për miliona qytetarë të tjerë të tyre të nënshtruar represionit.

“Kur organi më i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut bëhet një rast i dhelprave që ruajnë pulat, viktimat e botës vuajnë”, shtoi ai.

Për shkak se nuk ka konkurrencë në grupet rajonale aziatike dhe afrikane, me secilin prej katër kandidatëve për katër vende në dispozicion, Kina, Burundi dhe Kuvajti janë pothuajse të garantuara për të fituar, pavarësisht të dhënave të tyre të dobëta për të drejtat e njeriut.

Për fat të mirë, konkurrencë ka në grupin e Amerikës Latine, ku Kuba po lufton kundër Brazilit, Republikës Domenikane dhe Perusë për tre vende në dispozicion, dhe në grupin e Evropës Lindore, ku Rusia konkurron me Shqipërinë dhe Bullgarinë për dy vende të hapura.

Raporti rendit gjithashtu Republikën Domenikane, Indonezinë, Bregun e Fildishtë, Malavi dhe Perunë si me kredenciale “të dyshimta”, për shkak të të drejtave të njeriut problematike dhe të dhënave të votimit në OKB që duhet të përmirësohen.

Aktualisht, më shumë se dy të tretat e anëtarëve të UNHRC-së janë jodemokratike, duke përfshirë Qatar-in, Sudanin, Eritrenë, Algjerinë, Somalinë, Vietnamin, Pakistanin dhe Kazakistanin, sipas UN Watch-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore