Shqipëria

Shqipëria – destinacioni frymëzues


Një nga vendet që ka ndikuar imagjinatën kolektive të shqiptarëve, përmes njërit prej librave më të dashur.

Shpella e Piratëve ka frymëzuar shkrimtarin shqiptar, Petro Marko, i cili i ka kushtuar një libër me të njëjtin titull dhe më pas një film fantastik ku protagonistë janë femijët.

Shpella ngjall fantazitë e gjithkujt që e viziton duke ta bërë të lehtë udhëtimin që nga kohërat e lashta, kur piratët e detit strehoheshin poshtë shkëmbinjve të plazheve të Dhërmiut për t’u shpëtuar erërave të Jonit, ose për të pushuar pas lundrimeve të gjata.

Shkëmbinj rozë

Shpella është një guvë e lartë gjysmë rrethore që kulmon në majën e saj me një të çarë tjetër, si oxhak nga hyn drita e diellit.

Tavani i hapur i shpellës ajros muret e brendshme dhe krijon tjetër atmosferë që shijohet nga guximtarët që duan të provojnë kredhjet në këtë hapësirë detare të fshehtë.

Hyrja në shpellë është krijuar nga shkëmbinjtë gëlqerorë dhe i ngjan një porte natyrale guri. Uji blu i detit, transparent deri në thellësi, bashkohet me ngjyrën rozë të shkëmbinjve që janë ngjyrosur si me dorë nga rrahja e kripës.

Vendndodhja

Shpella ndodhet poshtë kodrinës ku ngrihet Manastiri i Shën Todhrit në Dhërmi. Vera është koha ideale për ta vizituar, sepse deti është i qetë dhe lundrohet lehtë.

Ndryshe është në dimër, kur dallgët që përplasen furishëm në shkëmbinjtë e shpellës e bllokojnë hyrjen e saj.

Të apasionuarit pas ngjitjes së shkëmbinjve mund të kacavirren në muret e brendshme të shpellës për të dalë nga çarja në tavan sipër kodrinës së Dhërmiut.

Banorët e zonës thonë se shpella nuk është eksploruar në brendësi, pasi thellësitë e ujërave rreth saj ka shpesh edhe ndalesa për peshkaqenë.

Shpella është lehtësisht e arritshme edhe nga plazhi i Jalit, por sigurisht pjesa më argëtuese do të ishte të kundroje nga lart mbi kodër, thellësinë e ujërave poshtë në shpellë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore