Bota

Shpërthim në Nashville, dyshohet për viktima


Policia e Nashville-it dyshon se ka gjetur gjurmë të mbetjeve njerëzore pranë vendit ku ndodhi një shpërthim i madh në mëngjesin e Krishtlindjes.

Tre qytetarë të plagosur u çuan menjëherë në spital dhe tashmë ndodhen në gjendje të qëndrueshme.

Shpërthimi shkaktoi gjithashtu edhe shumë dëme materiale. Rreth 41 biznese të zonës u shkatërruan. Ndërkohë një ndërtesë u shemb pjesërisht.

Fillimisht banorët kanë raportuar se kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri pak përpara agimit. Më pas, ata kanë parë një mjet të bardhë tip rulot të parkuar në rrugë.

Një inçizim i zërit të një gruaje është dëgjuar nga brenda mjetit. Mesazhi përsëriste se aty ishte vendosur një bombë që do të shpërthente për 15 minuta.

Paralajmërimi i çuditshëm i ardhur nga brenda mjetit ka qenë ai që ka evituar një tragjedi më të madhe. Policia e mori seriozisht thirrjen dhe krijoi një perimetër sigurie, duke evakuar banorët që gjendeshin më pranë rulotit.

Nuk dihen ende detajet e sakta të ngjarjes, por policia beson se ka gjetur disa mbetje njerëzore pranë vendit ku shpërtheu mjeti. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të zbuluar detajet e sakta.

Kryebashkiaku i Nashville-it, John Cooper, deklaroi se dyshimet janë mbi një bombë të vendosur qëllimisht. Ai tha gjithashtu se “ do të duhet kohë përpara se zona e shpërthimit të kthehet në normalitet”./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore