Lajme

Shpend Ahmeti akuzon Hekuran Muratin për bllokimin e ndërtimit të katër shkollave në Prishtinë


Shpend Ahmeti, ish-Kryetar i Pishtinës

Debati në mes të deputetëve të LDK-së dhe Ministrit të Financave, Hekuran Murati, gjatë seancës plenare në Kuvendin e së premtes, ka nxitur ish Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti që të reagoj për diçka të ngjashme ndaj ministrit Murati.

Ahmeti, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka akuzuar ministrin Murati për bllokimin e ndërtimit të katër shkollave në kryeqytet.

Këtë akuzë Ahmeti e ka lidhur në debatin mes ministrit Murati dhe LDK-së, e cila votoi kundër kredisë ndërkombëtare me Bankën Botërore.

“LDK paska votuar kundër kredisë ndërkombëtare me Bankën Botërore për reformën e sistemit social”, tha Ahmeti.

“Hekuran Murati paska me fol me drejtorin e Bankës Botërore në regjion në ora 16 për të parë si të zhbllokohet dhe shpëtohet procesi. Mirë është në takim ministri Murati me fol edhe për 3+1 shkollat në Prishtinë që i ka bllokuar që 1 vit përkundër faktit që kemi përfunduar krejt edhe nënshkrimin e kontratës”, ka treguar Ahmeti.

“Kjo marrëveshje me IFC/Bankë Botërore do të zhbllokohej për pesë minuta nga Murati duke përcjellë rekomandimet e zyrës së vet ligjore”, ka vazhduar më tej ish kryetari i Prishtinës.

“Kemi filluar procesin në 2017 dhe asnjë ditë se kemi vonuar”.

“Është gjynah me i lënë 4 lagje pa shkollat më të mira në Kosovë (Sofali, Mat, Qëndresa dhe Arbëri)”.

“Pra s’ka mbetë gjë veç pesë minuta dhe fillon Lopata e parë”, përfundon reagimin ish kryetari i Prishtinës, Shpnd Ahmeti.

Kjo, pasi që Ministri i Financave, Hekuran Murati deklaroi në konferencë për medie se në ora 16, këtë të premte, do të takohet me përfaqësues të Bankës Botërore për të parë mundësinë e ri përsëritjes së marrëveshjes për bashkëpunim për Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale.

“Ky nuk është sinjal i mirë në raport më bashkëpunëtorët tanë, sidomos me Bankën Botërore, megjithatë unë sot kam caktuar një takim virtual në orën 16:00, me drejtorin e zyrës së Bankës Botërore për rajonin, në mënyrë që ta shohim se a mund ta ri përsërisim, apo si të vazhdojmë tutje, për shkak se bëhet fjalë edhe për afate të caktuar kohore të cilat duhet t’i respektojmë”, deklaroi Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore