Shqipëria

“Shpallja non-grata e ish-kryeministrit është gur në qafën e Shqipërisë, SPAK duhet t’ia heqë”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një fjalimi përreth 90 minuta nga Pallati i Kongreseve, gjatë punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste, u shpreh se Prokuroria e Posaçme duhet të vihet “natyrshëm në lëvizje” pas deklaratës së Departamentit Amerikan për ish-liderin demokrat, Sali Berisha.

“Ajo deklaratë e mbetur pa përgjigjen e drejtësisë, për të gjithë ata që kuptojnë nga marrëdhëniet ndërkombëtare, ajo deklaratë është gur në qafën e Shqipërisë. SPAK-u duhet t’ia heqë këtë Shqipërisë nga qafa”, theksoi Rama.

Sipas kryesocialistit, janë me dhjetëra të vrarë, të vdekurit nga politikanë, që kanë emër dhe mbiemër.

Ata, shtoi Rama, janë akoma në kërkim të drejtësisë.

“SPAK vihet natyrshëm në lëvizje dhe nga një deklaratë partie, për këdo zyrtar të lartë, por akoma nuk është vënë në lëvizje nga deklarata më e rëndë që është bërë zyrtarisht më 30 vite nga aleati më i madh i Shqipërisë”, nënvizoi më tej kryeministri.

Duke iu kthyer Berishës, Rama kujtoi se ai ka drejtuar Shqipërinë dhe SPAK ka detyrim që e tejkalon shtetasin e ndaluar familjarisht që të hyjë në SHBA.

“Ajo deklaratë nuk mund të rrijë aty, ka bazë ose jo”, deklaroi kreu i socialistëve.

Kryeministri tha se do të mund ta shohim ndonjë ditë në dyert e Prokurorisë së Posaçme me ndonjë “për veshi”.

“Mos u habisni kur të më shihni ndonjë ditë te dera e SPAK-ut me ndonjë “për veshi” nga këta që duan t’i mbroj unë”, deklaroi kryesocialisti.

Rama garantoi se drejtësia nuk është “e kapur”.

“Nuk kam bërë shaka kur kam thënë se ‘dua një drejtësi të drejtë për këtë vend’, pasi ky është vendi i fëmijëve tanë”, tha kryeministri.

Sipas tij, kush shkel në dërrasë të kalbur në këtë familje, të shkojë dhe të marrë avokat.

“Kjo parti nuk jep shërbime avokatie, për askënd që thirret nga organet e drejtësisë”, përmbylli kryeministri sa u përket arrestimeve të ish-zyrtarëve të qeverisë shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore