Lajme

“Shpallja e organizatave si terroriste pa koordinim me aleatët është problematike dhe nuk ndihmon në forcimin e sovranitetit”


Ilustrim

Shpallja e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” – dy organizatat kriminale që operojnë në Veri të Kosovës – si terroriste nga ana e Qeverisës së Kosovës, pa koordinim me shtetet e QUINT-it, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, është problematike, pasi detyrën për mbrojtjen e sigurisë në Kosovë, institucionet ligjzbatuese e ndajnë me KFOR-in dhe EULEX-in.

Ndonëse këto grupime, sipas Shtunit, janë të njohura për aktivitete të jashtëligjshme dhe qasjen përplasëse me organet e rendit në Kosovës, shpallja e tyre, sidomos kur ato kanë të bëjnë me grupime të një minoriteti etnike, pa koordinim me aleatët nuk ndihmon në forcimin e sovranitetit të vendit, përkundrazi ato e dëmtojnë atë dhe sjellin kosto të larta për vendin.

“Për shkak të rëndësisë dhe peshës së këtyre shpalljeve, sidomos kur ato kanë të bëjnë me grupime të një minoriteti etnik, vendimmarrja zakonisht paraprihet nga konsiderata prej pikëvështrimeve të ndryshme dhe këshillime të shumta me aleatët. Mungesa e koordinimit në këtë rast është problematike sidomos pasi detyrën për mbrojtjen e sigurisë në Kosovë, organet ligjzbatuese të Kosovës e ndajnë me KFOR-in dhe EULEX-in. Fatkeqësisht, vazhdimësia e qasjes së njëanshme e pa konsultim nuk ndihmon as në de-përshkallëzimin e situatës e as në riparimin e marrëdhënieve me aleatet”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Shpallja organizatë terroriste, sipas Shtunit, është një nga format e fundit të presionit që ndërmerren nga çdo shtet.

Sipas tij Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë shpallur organizatë terroriste Talibanët meqë nëse një gjë e tillë do të bëhej atëherë komunikimi dhe negociata me këtë organizatë do të ishin të pamundura.

I pyetur nga gazetarët se a ka pasur koordinim me KFOR-in, por sidomos me SHBA-të, që Kosova të shpallë organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, Xhelal Sveçla tha se “patjetër që për këtë hap jemi koordinuar”.

Vetëm pak orë më vonë, ministri i Punëve të Brendshme Sveçla u përgënjeshtrua nga një komunikim për media e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku thuhej se “Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashington-in”.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, thuhej tutje në reagimin e DASH-it.

Veç kësaj, bëhej e qartë se lëvizje të tilla nga Kosova do të duhej të bëheshin në koordinim.

“Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës”, tha edhe një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Sveçla ndër të tjera theksoi, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisës së Kosovës ku edhe u morr vendimi për t’i shpallur dy këto organizata terroriste, se paralajmërimin për një vendim të tillë e kishte dhënë ditë më parë.

“Në konferencën e fundit në Mitrovicë herën e fundit unë kam bërë publike qëndrimin tim se do të kërkoj nga Qeveria që këto organizata të shpallen terroriste, nuk ka këtu kurrë far befasie”, potencoi ai duke shtuar se Kosova në vazhdimësi koordinohet me të gjithë aleatët, por që rezultati përfundimtar i këtij harmonizimi nuk është gjithmonë pozitiv.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me gjithë aleatët tanë, me disa herë pajtohemi herë nuk pajtohemi, por këtë e ka koordinimi, nuk do të thotë që ne duhet të kemi minimumin e konsensusit që të gjitha organizatave me të cilat ne bashkëpunojmë që ne të ndërmarrim një hap, patjetër që për këtë hap ne jemi koordinuar”.

“Patjetër që jemi koordinuar” – Xhelal Sveçla përgënjeshtrohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit

Muaj më parë Albanian Post, duke u bazuar në burime diplomatike mirë të informuara, kishte raportuar për aktivitetin e këtij grupi nën emërtimin “Brigada e Veriut” si një forcë paramilitare i cili numëron rreth 300 anëtarë të armatosur mirë.

Mosha mesatare e tyre është rreth të 30-tave, dhe tashmë kanë nisur patrullimet në zona të caktuara.

Patrullimi, siç kishte muar AP, bëhet kryesisht natën.

Raporti i inteligjencës i cilëson ata si kërcënim akut për sigurinë dhe rendin në Kosovë.

Një pjesë e tyre konsiderohen që nuk janë me origjinë nga Kosova, por janë të ardhur nga Serbia, mbase edhe nga Republika Serbe e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Pavarësisht që një pjesë e tyre lënë përshtypjen se mund të jenë nën ndikimin e alkoolit dhe substancave tjera, nga ana taktike konsiderohen që zotërojnë përgatitje të theksuar ushtarake.

Kush qëndron prapa tyre?

Të gjitha indikacionet çojnë drejt Bossit të grupit me inicialet M.R., që drejton një nga ski-rezortet në Kollashin.

Megjithatë, sipas burimeve diplomatike, që për Albanian Post kanë komentuar raportin e EULEX-it, organizime dhe lëvizje të tilla të formacioneve të armatosura, nuk mund të ndodhin pa një aprovim të heshtur nga autoritetet e Serbisë.

Burimet diplomatike të AP-sëhttps://albanianpost.com/ekskluzive-300-te-armatosur-ne-veri-raportet-e-inteligjences-zbulojne-grupin-paramilitar-ne-veri/ kishin shprehur shqetësimin që elementë pro-rus, brenda strukturave shtetërore të Serbisë dhe jo vetëm, janë duke u angazhuar në funksion të përshkallëzimit, me synim final një konfrontim të armatosur.

Në rast të kësaj të fundit, ky zhvillim doemos që do të përfshinte edhe trupat e NATO-së në Kosovë.

Ekskluzive: 300 të armatosur në Veri, raportet e inteligjencës zbulojnë grupin paramilitar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore