Lajme

“Patjetër që jemi koordinuar” – Xhelal Sveçla përgënjeshtrohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit


Ilustrim

I pyetur nga gazetarët se a ka pasur koordinim me KFOR-in, por sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që Kosova të shpallë organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” – dy organizatat kriminale që operojnë në Veri të Kosovës – Xhelal Sveçla tha se “patjetër që për këtë hap jemi koordinuar”.

Vetëm pak orë më vonë, ministri i Punëve të Brendshme Sveçla është përgënjeshtruar nga një komunikim për media e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku thuhet se “Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashington-in”.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, thuhet tutje në reagimin e DASH-it.

Veç kësaj, bëhet e qartë se lëvizje të tilla nga Kosova do të duhej të bëheshin në koordinim.

“Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës”, tha edhe një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Sveçla ndër të tjera theksoi, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisës së Kosovës ku edhe u morr vendimi për t’i shpallur dy këto organizata terroriste, se paralajmërimin për një vendim të tillë e kishte dhënë ditë më parë.

“Në konferencën e fundit në Mitrovicë herën e fundit unë kam bërë publike qëndrimin tim se do të kërkoj nga Qeveria që këto organizata të shpallen terroriste, nuk ka këtu kurrë far befasie”, potencoi ai duke shtuar se Kosova në vazhdimësi koordinohet me të gjithë aleatët, por që rezultati përfundimtar i këtij harmonizimi nuk është gjithmonë pozitiv.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me gjithë aleatët tanë, me disa herë pajtohemi herë nuk pajtohemi, por këtë e ka koordinimi, nuk do të thotë që ne duhet të kemi minimumin e konsensusit që të gjitha organizatave me të cilat ne bashkëpunojmë që ne të ndërmarrim një hap, patjetër që për këtë hap ne jemi koordinuar”.

Kundër vendimit për të shpallur organizatat në fjalë si terroriste ishte e Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, i cili edhe votoi kundër kësaj iniciative në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

Rashiç kërkoi nga ministri Sveçla që ta rishqyrtojë propozimin e të mos “merr vendim të ngutshëm”.

Ndonëse Rashiç theksoi se mbështet fuqishëm luftimin e krimit dhe korrupsionit në Veri të Kosovës, ku sipas tij ekziston një vakum i sigurisë për 24 vjet rresht, një vendim i tillë, siç argumentoi ai, vetëm sa i largon serbët lokalë edhe më shumë nga integrimi në shoqërinë kosovare dhe institucionet e vendit.

“Frikohem se sa më shumë që ne dëshirojmë të jemi institucionalisht të përgjegjshëm aq më shumë në këtë moment ndahemi nga bashkëqytetarët tonë serbë, serbët janë qytetarët tanë, ndonëse të manipuluar ata nuk janë fajtorë pasi nuk janë të informuar mjaftueshëm”.

Për vendimin në fjalë foli edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndër të tjera tha se “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” paraqesin një nivel të lartë “kërcënimi dhe rreziku”.

Sipas tij të dy grupet kishin “rekrutuar dhe trajnuar anëtarë se si të përdornin armët dhe të mbanin metoda të tjera luftarake në bazat ushtarake në Serbi me qëllim që të kryenin sulme ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë”.

Shpallja dy organizatave në fjalë si terroriste vjen në kohën kur tensionet në Veri të Kosovës janë rritur.

Serbët që nga 26 maji po kundërshtojnë kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën.

DASH: Kosova nuk u koordinua me Washington-in për shpalljen e dy grupeve serbe si organizata terroriste

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore