Lajme

Shpallja e dy organizatave terroriste nga Qeveria, Kastrati për Albanian Post: Vendim i duhur, por është dashur koordinim me ndërkombëtarët


Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ndonëse e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës e cila i ka shpallur si organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” që operojnë në Veri të Kosovës, thotë se është dashur koordinim me KFOR-in dhe vendet e QUINT-it.

“Unë e përshëndes ketë vendim të Qeverisë. Por, është dashur paraprakisht që qeveria ta njoftojë KFOR-in dhe shtetet e QUINT-it. Duhet të jemi të bashkërenduar, por vendimi i Qeverisë është me vend”, tha Kastrati për Albanain Post.

Një ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha para gazetarëve se e kishte njoftuar KFOR-in që do t’i shpallë organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.

Megjithatë, vetëm pak orë më vonë, Sveçla është përgënjeshtruar nga një komunikim për media i Departamentit Amerikan të Shtetit, ku thuhet se “Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashington-in”.

Por, për ish-ushtarakun Kastrati, nëse vendet perëndimore duan ta qetësojnë situatën politike në këtë mënyrë, “është gabim”, teksa shton se “ne jemi shtet dhe ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë”.

“Çdo grup i tillë në shtetet e tyre do të shpallej terrorist. Edhe arrestimet që u bënë, janë arrestime me vend. Të gjithë ata që kanë përdorur dhunë ndaj gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it dhe policëve duhet të vihen para drejtësisë”.

Prandaj, ai insiston që “çdo kush që e shkel ligjin do të prangoset”.

Ndryshe, shpallja dy organizatave në fjalë si terroriste vjen në kohën kur tensionet në Veri të Kosovës janë rritur.

Serbët që nga 26 maji po kundërshtojnë kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën.

Shtatë vjet pa “shuarjes” së ashtuquajturës “Mbrojte Civile” në Veri të Kosovës në bazë të marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, pjesëtarë të kësaj organizate kriminale u aktivizuan më 29 maj në Zveçan duke i plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it,

Milun Milenkoviç, i njohur si “Llune”, i dyshuar për plagosjen e ushtarëve të KFOR-it, u prangos nga policia në Mitrovicën Veriore, pas një aksioni ku u lënduan tre policë dhe një veturë e tyre u dëmtua nga protestuesit serbë.

Ndërkaq vitin 2016, 483 pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” ishin integruar në institucione qendrore të shtetit të Kosovës, në bazë të ligjit për shërbimin civil, pas një procesi të rekrutimit ligjor.

“Mbrojtja Civile” s’u shua në Veri as pas 7 viteve që u arrit marrëveshje në Bruksel, pjestarët e këtij grupi kriminal sulmuan ushtarët e KFOR-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore