Kosova

“Mbrojtja Civile” s’u shua në Veri as pas 7 viteve që u arrit marrëveshje në Bruksel, pjestarët e këtij grupi kriminal sulmuan ushtarët e KFOR-it


Shtatë vjet pa “shuarjes” së ashtuquajturës “Mbrojte Civile” në Veri të Kosovës në bazë të marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, pjesëtarë të kësaj organizate kriminale u aktivizuan më 29 maj në Zveçan duke i plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it,

Milun Milenkoviç, i njohur si “Llune”, i dyshuar për plagosjen e ushtarëve të KFOR-it, u prangos nga policia në Mitrovicën Veriore, pas një aksioni ku u lënduan tre policë dhe një veturë e tyre u dëmtua nga protestuesit serbë.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, i dyshuari, ishte një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijës i bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarë dhe ishte organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.

Po ashtu “Llune” dyshohet se në grup me të dyshuar të tjerë pati organizuar sulmet ndaj objekteve të Komisioneve Komunale Zgjedhore me granata dore, sulmet ndaj zyrtarëve të KQZ-së.

“Ata funksionojnë si një strukturë paramilitare, sepse janë mirë të trajnuar në Rashkë të Serbisë nga trajner të forcave policore të Serbisë dhe ata janë duke vepruar në Kosovë si organizatë e strukturuar të komanduar nga Serbia”, thotë për Albanian Post ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.

Ish-ushtaraku është i bindur që pjesëtarë të “Mbrojtës Civile”, kanë marrë pjesë në sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, prandaj insiston që duhet me doemos të arrestohen.

“Policia e Kosovë e ka marr si detyrë edhe e ka obligim që të përndjek dhe kap të gjithë ata që kanë bërë vepra penale dhe tashmë janë identifikuar një numër i madh i tyre. Gati të gjithë kanë marr pjesë në sulmet ndaj pjesëtarëve të KROR-it”.

Ndërkaq vitin 2016, 483 pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” ishin integruar në institucione qendrore të shtetit të Kosovës, në bazë të ligjit për shërbimin civil, pas një procesi të rekrutimit ligjor.

Por, kundër integrimit të tyre, ishte atëkohë ish-komandanti i Shërbimit Policor të Kosovës, Sheremet Ahmeti, i cilit thotë për AP se “integrimi i tyre në institucionet e Kosovës ka qenë gabim”.

“Në periudhën kur ka ndodhur unë nuk kam qenë drejtor, por unë atëherë e kam kundërshtuar, sepse kam qenë kundër që strukturat e MUP-it serb të kryqen në polici. Integrimi i tyre ka qenë gabim, unë nuk ka pranuar me asnjë kusht, sepse ata janë pjesë e strukturave kriminale të Serbisë”, theksoi ai.

“Unë kam qenë aty për t’i mbrojtur interesat e vendit dhe kundër kriminalëve që të bëhen policë të Kosovës”, shtoi Ahmeti.

Ndërkaq në fillim të muajit prill të këtij viti, Agjencia Kosovare për Inteligjencë kishte kuptuar se në një bazë ushtarake serbe në Rashkë dy grupe po zhvillojnë trajnime për ta destabilizuar Veriun në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës.

Në këtë zonë afër kufirit me Kosovën, pjesëtarë të ashtuquajturës “Organizatë për Mbrojtje Civile” po trajnoheshin për gjuajtje me armë e taktizime.

Në anën tjetër, profesori i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, thotë se orkestrimi i kësaj strukture është bërë vazhdimisht Beogradi dhe nga shërbimi sekret serb.

“Mbrojta Civile” ka një koordinim me BIA-n dhe Qeverinë e Serbisë dhe ky koordinim shkon në vijë horizontale dhe vertikale në kuptimin e realizimit të objektivave të cilat i kanë. Pjesëtarët e “Mbrojtës Civile” kanë qenë të përfshirë në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj”, potencoi ai për AP.

Po ashtu ai shprehet i bindur që në krye të këtij formacioni kriminal, është Milan Radoiçiç, nënkryetari i Listë Serbe, i cili është shumë i afërt me qeverinë e Serbisë.

300 të armatosur në Veri, raportet e inteligjencës zbulojnë grupin paramilitar

Vitin e kaluar, AP pati raportuar se një forcë paramilitare në Veri që në disa vende figuron nën emërtimin “Brigada e Veriut”, ka rreth 300 anëtarë të armatosur mirë.

Mosha mesatare e tyre është rreth të 30-tave, dhe tashmë kanë nisur patrullimet në zona të caktuara.

Patrullimi, siç pati mësuar AP, bëhet kryesisht natën.

Raporti i inteligjencës i cilëson ata si kërcënim akut për sigurinë dhe rendin në Kosovë.

Një pjesë e tyre konsiderohen që nuk janë me origjinë nga Kosova, por janë të ardhur nga Serbia, mbase edhe nga Republika Serbe e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore