Shqipëria

Shpallen fituesit e projekteve të MAS për kërkimet shkencore


Janë shpallur këtë të martë të 15 gushtit fituesit e projekteve të kërkimit shkencor që iu përgjigjën pozitivisht thirrjeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për aplikime për financim.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja Evis Kushi përmes një postimi në mediat sociale.

“I uroj shumë suksese grupeve të talentuara e inovatore të kërkuesve shkencorë dhe i nxis ata që bashkë me studentët ta bëjnë universitetin promotor për përshpejtimin e progresit ekonomik dhe social të vendit”, ka thënë Kushi.

Projektet në fjalë janë në dy drejtime.

Projektet e kërkimit dhe zhvillimit nga universitetet, të cilat fokusohen në shqetësimet e vazhdueshme për problemet e ekonomisë, shëndetit, mjedisit dhe energjisë që përjeton sot planeti ynë.

Dhe projektet e kërkimit shkencor që zhvillohen si partneritet i universiteteve me biznesin, ku për herë të parë janë përzgjedhur 10 projekte fituese që promovojnë në perspektivë afatgjatë një model të ri bashkëpunimi dhe lidhje organike mes kërkuesve, pedagogëve, studentëve dhe përfaqësuesve të bizneseve.

“Sapo kemi shpallur në AKKSHI fituesit e projekteve të kërkimit shkencor që iu përgjigjën pozitivisht thirrjeve të MAS për aplikime për financim”, ka treguar ministrja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore