Lajme

Shkrimtari polak: Presidenti i Polonisë, një ‘mashtrues’


Një shkrimtar polak mund të dënohet me burg, për shkak se fyeu presidentin Andrzej Duda. Tweet-i erdhi pas komentit që bëri presidenti në lidhje me fitoren e Joe Biden-it në zgjedhjet e SHBA-së.

“Andrzej Duda është një mashtrues”, thuhej në postim.

Jakub Żulczyk, skenaristi dhe mendja krijuese prapa serialit të famshëm televiziv “Blinded from the Lights and Belfer”, tha se prokurorët e kishin akuzuar atë.

Në një postim të publikuar në Facebook, ai deklaron se, sipas një neni të Kodit Penal, akuzohet për fyerjen e kreut të shtetit.

“Unë jam shkrimtari i parë në këtë vend që gjykohem për atë që kam shkruar dhe dyshoj për një kohë shumë të gjatë”, tha ai në Facebook.

Në postimin e tij, më 7 nëntor të vitit të kaluar, Żulczyk komentonte në një tweet ku Duda përgëzonte Biden-in për “fushatën e tij të suksesshme presidenciale”. Brenda tweet-it shtonte se po priste ende “emërimin nga kolegji elektoral”.

Duda, i cili mbështetet nga partia populiste e së djathtës Ligji dhe Drejtësia (PIS), ishte një aleat i ngushtë i paraardhësit të Biden-it, Donald Trump. Ky i fundit kontestoi rezultatin e zgjedhjeve, por nuk pati sukses.

Aleksandra Skrzyniarz, një zëdhënëse e prokurorëve të rrethit të Varshavës, foli me agjencinë polake të lajmeve PAP të hënën. Ajo sqaroi se akuzat ishin ngritur kundrejt një shtetasi, duke e emëruar vetëm si “Jakub Z”.

Zëdhënësja shtoi se i pandehuri u akuzua për kryerjen e një akti të fyerjes publike. “Ai përdori, më 7 nëntor të vitit të kaluar, në një rrjet social, një term që zakonisht përdoret si fyerje, kundër presidentit të Republikës së Polonisë”, shprehu ajo.

Ajo shtoi se akuzat qenë ngritur në fillim të këtij muaji dhe se i dyshuari ishte marrë në pyetje. Ky i fundit “nuk pranoi që e kish kryer veprimin e pretenduar dhe paraqiti shpjegimet e tij”.

“Ai tregoi se deklarata përbënte një qëndrim kritik ndaj veprimeve të presidentit”.

Në postimin e tij, botuar fill pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, Żulczyk tha se “nuk ka diçka të tillë si emërim nga kolegji elektoral”. Ai shtoi se konfirmimi i Biden-it si president i SHBA-ve ishte thjesht “një formalitet”.

Polonia është kritikuar në mënyrë të përsëritur për ligjet e saj të ndryshme të fyerjes. Përfshirë një ligj për ofendimin e ndjenjës fetare dhe një tjetër për fyerjen e flamujve të Polonisë ose vendeve të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore