Lajme

Shkrimtari boshnjak: Ballkani po i kthehet problemeve me të cilat u përball në fillim të viteve nëntëdhjetë


Paneli i katërt i Forumit të Cetinjës në Mal të Zi.

Në panelin e katërt të Forumit të Cetinjës në Mal të Zi, nga panelistët është theksuar se rrethanat gjeopolitike po ndryshojnë, dhe se Ballkani po i kthehet problemeve me të cilat u përball në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

Haris Imamoviç, shkrimtar dhe ish-këshilltar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, tha se në BeH gjithçka që ishte një hap drejt NATO-s dhe BE-së ishte me mbështetjen dhe ndihmën e perëndimit dhe se tani nuk është më, prandaj, sipas tij, kjo është arsyeja kryesor për të gjitha gjërat negative që po ndodhin në BeH, por edhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.

“Nuk ka më vendime as në Prishtinë, as në Podgoricë, as në Bosnje e Hercegovinë, nuk ka vendime pa Beogradin”, tha Imamoviç, transmeton media malazeze “Pobjeda”.

Për këtë situatë të krijuar, në vlerësimin e shkrimtarit boshnjak, nuk duhet gjetur ngushëllimi se bëhet fjalë për një gabim apo paaftësi, apo korrupsion të politikanëve të huaj.

“Duke kaluar kohë duke folur për vlerat, ne e shpërfillim ndryshimin që ka ndodhur. Dhe kjo ndodhi në përqendrimin e pushtetit, shpërndarjen e pushtetit”, beson Imamoviç.

Tutje, ai theksoi se tri dekadat e fundit ishin vite të “hegjemonisë liberale”.

“Nuk ka më një forcë në botë, por disa nga të cilat do të varet se si do të zhvillohen gjërat. Përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë edhe Rusia dhe Kina”, tha ai.

Shkrimtari boshnjak solli në kujtime edhe momentin e tri dekadave më parë kur në ish-Jugosllavi u pa se gjërat nuk po funksiononin mirë.

“Në vitin 1983 u zhvillua gjyqi tashmë i famshëm i Sarajevës. Ishte momenti kur autoritetet komuniste arrestuan Alija Izetbegoviç [Ish-president i BeH-së]. Qëllimi ishte të polarizonte shoqërinë dhe BeH”.

“Në kujtimet e tij, Izetbegoviç tha se pas vdekjes së [Josip Broz] Titos, situata filloi të përkeqësohej. Shqiptarët u gjykuan pothuajse çdo ditë dhe Perëndimi nuk reagoi. Ishte e rëndësishme që Jugosllavia të qëndronte larg Rusisë… Gjatë Luftës së Ftohtë, siç është sot”, shtoi.

Në këtë kontekst, Imamoviç vlerësoi se kur ka një problem në lindje, “Beogradi mund të bëjë çfarë të dojë, e vetmja gjë e rëndësishme për Uashingtonin është ta mbajë larg Rusisë”.

“Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të bëjë asgjë në BeH. Asnjë përparim nuk është bërë në katër apo pesë vitet e fundit. Ideja liberale, ajo që ne besuam për të shkuar në BE, nuk ka të bëjë me të. Nuk ka më përparim drejt rrugës së NATO-s, drejt rrugës së BE-së. Kjo do të jetë luftë për shtetin dhe identitetin”, mendon ish-politikani boshnjak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore