Lajme

Rritet bilanci i viktimave nga tërmeti, 2316 të vdekur në Turqi dhe 1293 në Siri


Lajmi është i përditësuar

2 mijë e 316 persona kanë mbetur të vdekur në Turqi pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin dhe Sirinë.

Kjo shifër është e fundit e përditësuar nga Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive.

Të paktën 12 mijë e 293 të tjerë u plagosën nga tërmeti, shtoi ministria.

Nga ana tjetër, agjencitë siriane të lajmeve kanë raportuar 1 mijë e 293 vdekje.

Vdekjet janë konfirmuar në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe grupi “Helmetat e Bardha”, i njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, edhe në zonat e kontrolluara nga opozita.

Në Turqi është bërë me dije nga lideri i vendit, Recep Tayyip Erdogan, se do të ketë 7 ditë zie.

Tërmeti goditi në orën 04:17 me atë lokale, në një thellësi prej 17.9 kilometrash, pranë qytetit Gaziantep, por në realitet të prekur kanë qenë 10 qytete në tërësi, përfshi edhe Diyarbakir-in.

Mes dhjetëra pasgoditjeve, një tepër e fuqishme ka goditur rreth mesditës, me një magnitudë 7.7 Rihter.

Shumë prej ndërtesave janë shembur dhe qindra ekipe kërkim-shpëtimi ndodhen në terren për të bërë të mundur evidentimin e çdo të mbijetuari, apo trupi që ka humbur jetën.

Në një deklaratë për media, ishte ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu, ai i cili bëri një bilanc paraprak, duke përsëritur se qytetet e prekura nga ana turke ishin Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.

Nga ana tjetër, në Diyarbakir, është raportuar nga korrespondetët e medias shtetërore britanike BBC, se një qendër e tërë tregtare është shembur, por nuk dihet nëse brenda saj kishte punëtorë të shumtë apo jo.

Prej anës siriane, raportimet janë më të pakta dhe priten përditësime mbi shifrat e humbjes së jetëve dhe dëmeve të shkaktuara.

Lëkundjet e forta u ndjenë gjithashtu në Liban dhe Qipro. Ndërsa, sizma më të lehta, janë ndjerë edhe në Lindjen e Mesme, me raportime deri në Rripin e Gazës, ku ka pasur tronditje për rreth 45 sekonda.

Turqia bën pjesë në një rrip sizmik, ndër më aktivët në gjithë botën dhe të tilla tërmete, nuk janë të rralla atje.

Në vitin 1999, më shumë se 17 mijë njerëz humbën jetën, pasi një tërmet i fortë goditi veri-perëndimin e vendit.

Në një mesazh të menjëhershëm pas ngjarjes, Erdogan ka premtuar ndihmë për çdo të prekur dhe ka kërkuar solidaritetin e gjithë komunitetit ndërkombëtar.

Këta të fundit janë përgjigjur pozitivisht dhe kanë dërguar grupe të posaçme shpëtimi drejt Turqisë.

Të njëjtën gjë e ka bërë menjëherë edhe Shqipëria, ku përmes një postimi në Twitter, ka qenë kryeministri Edi Rama, ai i cili ka bërë me dije se një grup kërkim-shpëtimi do të asistojë homologët turq.

Bëhet fjalë për një skuadër shpëtimi prej 38 personash.

Sa i përket 10 rajoneve të prekura, shkollat do të mbyllen provizorisht për një javë aty, deri në mobilizimin e situatës.

Lidhur me shtetasit shqiptarë, rezidentë në Turqi, sipas raportimeve nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nuk ka pasur nga ata, të prekur nga tërmeti.

Teksa, për raste emergjente në zonat ku tërmeti ka shkaktuar dëme, janë vendosur në dispozicion dy numra telefoni.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë Ankara: +90 549 5611985

Konsullata e Republikës së  Shqipërisë Stamboll: +90 539 6566219

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore