Lajme

Shkoi të marr një shërbim në Drejtori të Inspeksionit në Prishtinë – vdes në shkallë qytetari, policia po heton rastin


Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës

Një person ka vdekur në shkallët e Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, të martën paradite.

Roland Peraj, zyrtar në zyrën për medie në Komunën e Prishtinës ka thënë për Albanian Post se ai kishte shkuar për të marrë një shërbim në atë objekt të komunës dhe pasi ka përfunduar punë, në të dalë është rrëzuar përtokë.

“Ka shkuar pala për të kryer një shërbim në Drejtori të Inspeksionit dhe pasi e ka marrë shërbimin ka dalë jashtë për të ndezur një cigare. Pastaj me shumë gjasë ka pas arrest kardiak, sepse nuk e dimë as ne, se çka ka ndodhur. Por, stafi teknik që ka qenë aty ka deklaruar se ka rënë përdorë në shkallët emergjente të objektit”, ka thënë Peraj.

“Pasi ai ka rënë në tokë stafi teknik që ka qenë tek dera janë mundu ti japin ndihmën e parë, pastaj ka ardhur emergjenca”, përfundon ai.

Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Emergjente në Komunën e Prishtinës, Abdyl Pacolli, ka thënë se për rastin në fjalë janë njoftuar nga një qytetar dhe emergjenca i është përgjigjur menjëherë.

“Rreth orës 9:13 minuta kemi pas një thirrje nga qytetarët se është një person i alivanosur në shkallët emergjente në objektin e “ish Gjykatës së Qarkut”, ekipi është nisë menjëherë. Në ora 9:16 minuta ekipi ka mbërri në vendin e ngjarjes dhe ka ataku një person të gjinisë mashkullore në moshën mbi 60 vjeçare. Pa shenja jete”, ka thënë Pacolli në një prononcim për Albanian Post.

“Por në momentin kur ka shkuar ekipi i urgjencës ka ataku dy persona, personel shëndetësor, civil, të cilët kanë filluar ta reanimojnë atë, ti bëjnë kompresione në gjoks. Pastaj ekipi i emergjencës ka filluar me procedurat e reanimimit kardiorespirator në rreth 40 minuta, por nuk kanë arritur ta rikthejnë në jetë”, thotë Pacolli.

Ekipi emergjent në teren ka konstatuar vdekjen dhe më pas kanë lajmëruar Policinë e Kosovës.

“Rr.Ilir Konushevci, Prishtinë 12.04.2023-09:30. Raportohet se në objektin e Komunës se Prishtinës, është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet ne IML për obduksion”, thotë Policia.

Në urgjencën paraspitalore të gjitha vdekjet e dyshimta dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekspertizë mjeko ligjore, ka thënë drejtori i emergjencës në Prishtinë, Abdyl Pacolli. Kjo, meqë personi i vdekur ka qenë i panjohur dhe nuk dihen shkaqet e vdekjes.

“Nuk e kemi njohur si pacientë dhe nuk e kemi ditë çfarë sëmundje ka”, ka deklaruar Pacolli.

Policia ka bërë me dije se është duke e hetuar rastin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore