Shqipëria

Shkarkimi i prokurorit Memia, KLP pezullon përfitimin financiar


Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh të hënën e 7 shkurtit, në kushtet e kuorumit, për shkak të mungesës së katër anëtarëve të Këshillit, Alfred Ballës, Bujar Sheshit, Sandër Becit dhe Zeqir Hodës.

Gjatë mbledhjes u bë leximi dhe miratimi i projektaktit për një shtesë në Vendimin Nr. 81, datë 31.03.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia”.

Këshilli vendosi që përfitimi financiar deri në masën 50 %, për prokurorin në fjalë, të pezullohet deri në momentin që vendimi i shkarkimit të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, të marrë formë të prerë.

Gjithashtu u vendos që shqyrtimi i procedimit disiplinor, filluar mbi bazën e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), ndaj dy magjistratëve F.G dhe M.L të shtyhet për në datën 16 shkurt në orën 11:00.

Më 31 mars, KLP shkarkoi nga detyra prokurorin e Krujës, Bujar Memia.

Vendimi për shkarkimin e tij u mor me 10 vota pro dhe një votë kundër (Nurihan Seiti).

Pas gjyqtares Enkeleda Hoxha, Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) kërkoi shkarkimin e prokurorit të Krujës, Bujar Memia.

ILD-ja kërkoi shkarkimin e Memia-s, me argumentin se ky i fundit ka favorizuar lirimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Hekuran Billa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore