Shqipëria

KLP shkarkoi nga detyra prokurorin e Krujës, Bujar Memia


Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Krujës, Bujar Memia.

Bëhet me dije se vendimi për shkarkimin e tij u mor me 10 vota pro dhe një votë kundër (Nurihan Seiti).

Pas gjyqtares Enkeleda Hoxha, Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) kërkoi shkarkimin e prokurorit të Krujës, Bujar Memia.

ILD-ja kërkoi shkarkimin e Memia-s, me argumentin se ky i fundit ka favorizuar lirimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Hekuran Billa.

Pas vendimit, Memia reagoi duke thënë se nuk ka shkelur asnjë ligj. Ai nënvizon se, në këtë proces, ka ndikuar parlamenti.

“Nuk kam shkelur asnjë ligj të Republikës së Shqipërisë. Parlamenti ka ndikuar në mënyrë flagrante në këtë proces. Do të ndjek rrugën ligjore. Unë kam një mbiemër dhe e dini nga vij”, deklaroi prokurori.

Rikujtojmë se disa muaj pasi fitoi lirinë, Billa u ekzekutua në një atentat pranë Komunës së Parisit, në Tiranë.

Ndërkohë që, Gjykata e Posaçme e Apelit gjatë ditës së sotme më 31 mars, ka rrëzuar për të katërtën herë, kërkesën për lirim të ish-gjyqtares së Krujës, Enekeleda Hoxha.

Gjyqtarja liroi nga qelia Hekuran Billën. Kjo e fundit akuzohet edhe për korrupsion.

Sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) që drejtoi hetimin, kemi të bëjmë me një skemë të mirëfilltë kriminale. Sipas kësaj skeme, të dënuarit në burgun e Fushë-Krujës përfitonin ulje dënimi, duke dhënë sasi parash nga 6-12 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore