Shqipëria

Shqipëri, ulje rekord e infektimeve nga Covid-19


Gjatë 24 orëve të fundit, tre pacientë kanë humbur betejën me coronavirus-in dhe kanë rezultuar pozitivë 17 qytetarë në Shqipëri.

Kjo është shifra më e ulët që prej shfaqjes së pandemisë në Shqipëri.

Rastet pozitive janë konfirmuar në Shkodër me katër raste, në Tiranë, Fier, Lezhë, Vlorë, Delvinë me dy raste ndërsa në Kurbin, Mirditë dhe Finiq vetëm një rast.

Aktualisht në spitalet Covid janë duke u trajtuar 80 pacientë. Nëntë prej tyre ndodhen në terapi intensive.

Gjatë tre ditëve të fundit nuk ka pasur asnjë pacient në intubim. Situata në spitale shfaqet më e qetë dhe në rënie të dukshme.

Janë kryer 2 mijë e 639 testime dhe janë shëruar 1 mijë 107 qytetarë. Numri i të shëruarve ka pësuar rritje të lartë gjatë këtyre javëve.

Fushata e vaksinimit masiv vijon gjithashtu me ritme të shpejta. Ndërkohë deri më tani janë vaksinuar mbi 664 mijë shqiptarë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se mbi 210 mijë qytetarë, i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani mbi 760 mijë doza të vaksinave anti-Covid, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.1 milionë doza.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Më 5 maj u mblodh sërish Komiteti i Ekspertëve, ku la në fuqi masat e marra më përpara për sa i përket fashës orare të lëvizjes deri në orën 22.00.

Ministria gjithashtu ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën. Apel ka edhe për vijimin e zbatimit të rregullave për parandalimin e COVID-19.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore