Lajme

Sherwood-Randal: SHBA-të të përkushtuara për sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës


Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë përsëritur qëndrimin se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm.

Në një njoftim të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, thuhet se asistentja e Presidentit për Sigurinë Kombëtare, Dr.Liz Sherwood-Randal, e cila ishte udhëheqëse e një delegacioni të Shtëpisë së Bardhë gjatë një vizite zyrtare në Kosovë, ka përsëritur përkushtimin e palëkundur të SHBA-ve për sigurinë e Kosovës, ku edhe ka falënderuar Kosovën për pritjen e përkohshme të refugjatëve afganë dhe solidaritetin e treguar për popullin ukrainas.

“Sherwood-Randall përsëriti përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë rajonale të Kosovës, siç dëshmohet përmes udhëheqjes së qëndrueshme të SHBA-së në misionin e NATO-s në Forcën e Kosovës (KFOR) dhe mbështetjes thelbësore për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila vazhdon planin e saj 10-vjeçar të tranzicionit”.

Tutje në njoftim thuhet se Sherwood-Randall ka shprehur falënderime të thella për Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti për “përkrahjen e vazhdueshme në strehimin e refugjatëve afganë në Kampin ‘Liya’, për partneritetin kundër terrorizmit si dhe për aktet e solidaritetit me popullin ukrainas”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore